Aktualitet

Vrasja e biznesmenit në Shëngjin, ende asnjë gjurmë nga autori!

Ende asnjë autor nga ekzekutimi i biznesmenit dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak të Lezhës, Ardian Nikulaj dje në Shëngjin. Pas atentatit në lokalin e tij janë shoqëruar e marrë në pyetje disa persona, por deklarimet e tyre nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor për të rënë në gjurmët e autorit. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, mendohet se personi që qëlloi erdhi nga Shkodra dhe lëvizte me një motor, i kamufluar me skafandër në kokë, maskë në fytyrë dhe një jelek fosforishent, i ngjashëm me ato të Policisë Rrugore.

Pasi kryen krimin, ai largohet qetësisht po me motor, duke ndjekur të njëjtin itinerar përgjatë superstradës në drejtim të Shkodrës dhe në zonën e Gjadrit humbet gjurmët.

Në këtë pikë ku nuk ka as kamera në rrugë mendohet të jetë ndihmuar dhe nga persona të tjerë për t’u larguar. Për të realizuar atentatin ndaj 50-vjeçarit Nikulaj mendohet të kenë bashkëpunuar me njëri-tjetrin një sërë personash, të cilët kanë ndjekur lëvizjet e objektivit, duke sinjalizuar autorin për të kryer vrasjen kur hyri në lokalin CORAL, në vijën e parë të bregdetit të Shëngjinit.

Nga veprimet e kryera hetimore është dalë në konkluzionin se autori ka qenë një vrasës profesionist që ka vepruar qetësisht, pa lënë gjurmë dhe pa dëmtuar persona të tjerë që ndodheshin në të njëjtin lokal.

Policia ka ushtruar kontrolle në disa vende nga ku mendohet të jetë larguar autori i ngjarjes, por pa arritur të gjeje prova që mund t’i shërbejnë hetimit. Ardian Nikulaj biznesmen dhe eksponent politik në Lezhë u ekzekutua me pistolete mesditën e djeshme kur gjendej vetëm në tavolinë në lokalin në pronësinë e tij, në vijën e parë të plazhit të Shëngjinit.

Pista kryesore e hetimeve është përqendruar te hasmëria mes fiseve që lidhet me vrasje te ndodhura vite më parë, por nuk përjashtohet mundësia se krimi mund të ketë ardhur për shkak të konflikteve që lidhen me biznesin.