Aktualitet

Vrasja e djeshme në Kavajë, policia identifikon autorin dhe vë shpërblim për kapjen e tij!

Vrasja e një dite më parë në qytetin e Kavajës, policia identifikon dhe publikon foton e autorit të dyshuar të ekzekutimit me armë zjarri të Arjan Gosës, teksa konsumonte kafe në një lokal, në shoqërinë e të atit. Eshtë fjala për shtetasin Habib Rexha, 31-vjeç. Për çdo informacion që çon në kapjen e tij, blutë kanë vendosur dhe 10 mijë euro shpërblim.

Në njoftimin e Policisë thuhet:

Identifikohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit A. G. Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit A. G., i cili është shtetasi Habib Rexha, 31 vjeç. Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 10000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 84 59999, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.

Foto e Policisë së Shtetit e autorit të dyshuar:

Viktima u qëllua me një plumb në kokë. Pista kryesore është ajo e hakmarrjes për ngjarjen e ndodhur në mars të këtij viti, ku po në Kavajë gjetën vdekjen vëllai i Arjan Gosës, si dhe Altin Rexha pasi vranë njëri tjetrin me thikë dhe armë. Në njoftimin e djeshëm, policia theksonte:

Më datë 21.05.2023, rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, në një lokal, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin A. G.

Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.