Aktualitet Lajmet e fundit Rajoni

Vuçiç: Bisedimet për Kosovën me Macron nuk ishin të lehta. Detyra ime të luftoj për vendin!

Presidenti Aleksandar Vuçiç tha sot në Paris se mbrëmë ka pasur një bisedë shumë të mirë me presidentin francez Emmanuel Macron që ka zgjatur më shumë se tre orë dhe se kanë arritur marrëveshje konkrete për blerjen e avionëve luftarakë Rafale, kontratat për të cilët do të nënshkruhen në dy muajt e ardhshëm.

“Jam shumë i lumtur për rezultatet e atyre bisedimeve, i lumtur sepse kemi mundur të diskutojmë në mënyrë të hapur dhe specifike të gjitha llojet e bashkëpunimit me një nga vendet më të rëndësishme në botë. Dhe mendoj se kemi arritur disa marrëveshje konkrete në lidhje me blerjen e avionëve ku pres nënshkrimin e kontratës në dy muajt e ardhshëm dhe me prezencën e Presidentit të Francës, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë në shumë nivele”, tha Vuçiç pas takimit.

Ai tha se biseda me Macron ka zgjatur pothuajse deri në orën 23:15.

Presidenti Vuçiç tha se bisedimet për Kosovën me presidentin francez nuk ishin të lehta.

“Sigurisht, ne patëm bisedime për situatën në rajon. Është e qartë për ju se këto nuk janë bisedime të thjeshta, por unë i jam mirënjohës presidentit Macron që na dëgjoi,” u tha Vuçiç gazetarëve në Paris.

Ai tha se mbrëmë kanë biseduar për të gjitha vështirësitë me të cilat po përballet Serbia.

“Mendoj se presidenti Macron e kuptoi se për çfarë biseduam, për çfarë ramë dakord. E patë që nuk kam gënjyer kurrë askënd, se mund ta them në fytyrën e të gjithëve. Sepse kur thua të vërtetën, është mbrojtja më e mirë dhe ke asgjë për t’u turpëruar kur e thoni të njëjtën gjë para popullit tuaj, siç e thoni para përfaqësuesve më të lartë të huaj”, ka thënë Vuçiç.

Vuçiç tha gjithashtu se gjatë darkës kanë biseduar dy orë për Kosovën dhe rajonin dhe gjithçka që “na shqetëson” dhe ka theksuar se të gjithë e respektojnë çiltërsinë dhe ndershmërinë e tij. Vuçiç theksoi se Macron ishte i drejtë gjatë darkës dhe se kishte pyetje në lidhje me Asociacionin.

“Mendoj se arritëm të shpjegojmë pozicionin e Serbisë, do ta shihni. Është detyra ime të luftoj për vendin dhe të gëzoj nderimet e bëra, jo për mua, por për vendin tonë. Faleminderit Macron që tha se beson në mua personalisht.” ka thënë Vuçic.

Vuçiç po ashtu tha se ekipi i njerëzve që luftojnë për Serbinë në kuadrin ndërkombëtar është “plot me luftëtarë” dhe posaçërisht ka theksuar drejtorin e Zyrës për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviç.

“Nëse do të mund të shihje disa takime të mbyllura, do të thoshe – është e mahnitshme se sa shumë njerëz luftojnë për vendin dhe çfarë lloj luftëtarësh kemi ne”, tha ai.