Art & Kulturë Design Lifestyle

Zbulohet piktura 400-vjeçare në një depo në Australi, mund të vlejë miliona dollarë!

Një pikturë 400-vjeçare, e cila sipas ekspertëve mund të vlejë miliona dollarë, është zbuluar në një depo të braktisur në Australi. Vepra e artit e quajtur “Still Life”, u mbajt për shumë vite në muzeun “Akademia Woodford” në Uellsin e Ri Jugor, por përgjatë viteve kishte mbetur gjithnjë në hije.

Piktura e vlefshme i përket Epokës së Artë holandeze, e realizuar në shekullin e 17-të dhe u zbulua mes një koleksioni prej 60 000 pikturash, pjesë e veprave të muzeut të cilat iu dhuruan Fondit Kombëtar të Australisë. Piktura tregon një tavolinë të mbuluar përgjysmë nga një shtrojë e bardhë e zhubrosur, një kek i filluar, arra, bukë dhe enë qelqi.

Vepra i atribuohet Gerrit Willemsz Heda, djali i piktorit të famshëm holandez të shekullit të 17-të, Willem Claesz. Heda, njihet si një nga mjeshtrit e mëdhenj të epokës së artë holandeze, por megjithatë ekspertët janë ende duke e hetuar origjinën e saktë të “Still Life”. Nënshkrimi i Hedës mbi pikturë, është shumë i ngjashëm me atë të babait të tij dhe ndaj dyshimet janë, se kjo vepër e rrallë, mund të jetë edhe një bashkëpunim babë e bir.

Sipas ekspertëve, vlera e veprës së artit është ende në diskutim, por ekspertët besojnë se mund të vlejë miliona dollarë. Zëdhënësja e kompanisë që ka marrë përsipër restaurimin dhe kujdesin për pikturën, ka pohuar për publikun se zakonisht veprat e Hedës vlerësohen nga 2,9 deri në 3,7 milionë dollarë.

Momenti kur gjatë procesit të pastrimit, mbi vepër u gjet nënshkrimi i artistit. Menaxherja e koleksioneve të National Trust, Rebecca Pinchin u shpreh se:

Të gjeja një pikturë autentike të shekullit të 17-të në depon time në ‘National Trust’ më la pa frymë.

Piktura do të shfaqet për herë të parë për publikun, në Festivalin Australian të Trashëgimisë 2022, në ‘Woodford Academy’, më 14 maj.