Aktualitet Politikë

Zgjedhja e presidentit, tone të ashpra Berisha-Alibeaj në grupin e PD-së!

Debate të ashpra Berisha-Alibeaj shënuan sot mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ish-kryeministri i tha kreut të grupit se “është i zgjedhur i Taulant Ballës, jo i grupit parlamentar” dhe se “mbahet peng”. Por, Alibeaj iu përgjigj me të njëjtën fjalë.

Berisha: Je i përzgjedhur i Taulant Ballës, nuk je i përzgjedhur nga Grupi Parlamentar. Edhe Rama s’të përfill, të mbajnë peng! Nuk ke mandat sepse je i zgjedhur i Taulant Ballës!

Alibeaj: Peng je ti!

Pati një ndërhyrje nga deputeti Flamur Noka duke i kërkuar Alibeajt të mos i ndërpriste fjalën Berishës.

Alibeaj: Me fyerje personale mos të vazhdojë!

Berisha: Ai që ndihet opozitar i vërtetë, nuk mund të imagjinojë kurrë të marrë pjesë në një proces mafioz të zarfeve sekrete. Kemi të bëjmë me një nënshtrim të opozitës, që zhvillohet me e-maile dhe zarfe sekretë. Eshtë e tëra në funksion të Edi Ramës dhe ne të bëjmë sikur jemi pyetur. Ka rregull për të qenë opozitë e vërtetë dhe ka rregulla shumë të qarta! Kur deputetëve të tij, ai iu fut zarfin sekret, një metodë tipike mafioze, ne nuk kemi punë me të. Cilido që mendon ndryshe, bën lojën e tij! Ç’punë kemi ne? Po të hapte garë dhe t’u thonte që opozita do të ketë presidentin, atëherë do të mblidhej me opozitarët e tjerë dhe do të diskutonim nëse e pranonim apo jo. Vetëm në shpellat e mafies veprohet kështu. Po përdhoset institucioni i Presidencës dhe i shqiptarëve. Je në funksion të Lulzim Bashës dhe Edi Ramës!

Në nisje të mbledhjes së grupit, Albana Vokshi kërkoi nga Alibeaj që të bëjë kërkesë në Kuvend për deputetët e përjashtuar, për t’u cilësuar si pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Jemi 5 deputetë të përjashtuar, duhet të bëni kërkesë në Kuvend!

Alibeaj u përgjigj:

Nuk zhbëj dot me vullnet personal vendime që janë marrë nga organet e partisë!

Në mbledhjen e sotme nuk u arrit të dilej me një qëndrim sa i përket negociatave me Partinë Socialiste për çështjen e zgjedhjes së kreut të shtetit. Një gjë e tillë pritet në një mbledhje tjetër grupi, për të marrë mendimin e secilit deputet, madje Alibeaj ftoi gazetarët të marrin pjesë.