Bota

Zgjedhjet në Armeni, Pashinyan pretendon fitoren!

Kryeministri armen, Nikol Pashinyan pretendon se është fitues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të një dite më parë në Armeni. Rezultatet paraprake e nxorrën fituese partinë e tij “Kontrata Civile”, me 53.9% të votave por koalicioni kryesor opozitar hodhi poshtë rezultatin me pretendimet se kishte mashtrime në zgjedhje.

Populli i Armenisë i dha partisë sonë një mandat për të udhëhequr vendin dhe personalisht mua si kryeministër. Ne tashmë do të kemi një shumicë bindëse në Parlament.

Më pas, Aleanca e Kocharian-it tha se nuk do të njihte rezultatet nëse nuk adresohen parregullsitë e pretenduara të procesit të votimit. Qindra të dhëna nga qendrat e votimit dëshmojnë për falsifikime të organizuara e të planifikuara.

Sondazhet para zgjedhjeve tregonin se gara ishte e ngushtë dhe secila nga palët gëzonte rreth 24% të mbështetjes qytetare. Persona me të drejtë votë ishin 2.6 milionë ndërsa në zgjedhje morën pjesë 21 parti e 4 koalicione. Subjekteve politike iu duhet 7% për të hyrë në Parlament. Me këto rezultate, “Kontrata Civile” do të ketë më shumë se 50% të vendeve në Parlament.

Votimet pasuan tensionet politike në Armeni, të nxitura nga humbja e forcave armene kundër Azerbajxhanit në luftën 6-javore të zhvilluar në vjeshtë të 2020-ës për rajonin Nagorno Karabak. Opozita organizoi protesta të vazhdueshme e Pashinyan ofroi dorëheqje për të mundësuar zhvillimin e zgjedhjeve.

Marrëveshja e brishtë e paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë u ndërmjetësua nga Moska. Akordi riktheu sovranitetin e Azerbajxhanit mbi një pjesë të Nagorno Karabakut e rajoneve përreth që kontrolloheshin nga forcat etnike armene prej luftës së fillim viteve ‘90. Retorika e fushatës zgjedhore ngriti shqetësimet për mundësinë e dhunës elektorale sidomos nëse rezultati kontestohej.

Disa kandidatë dhe aktivistë të opozitës u arrestuan gjatë fushatës, me akuzat për kërcënime ose korrupsion. Në prag të zgjedhjeve, presidenti Sarkisian iu kërkoi qytetarëve të ruajnë qetësinë!

E papranueshme të kapërcehen kufijtë politikë e moralë dhe situata të përshkallëzohet!

Vlerësimin e procesit zgjedhor do ta bëjnë vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së.