Politikë

Zgjedhjet parlamentare, Majko: “Emigrantët mund të votojnë edhe pa treguar adresat”

“Emigrantët mund të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, edhe pa bërë deklarimet e adresave”. Kjo u theksua sot nga Ministri për Diasporën, Pandeli Majko në mbledhjen e Nënkomisionit për Diasporën dhe Emigrantët.

Majko bëri të ditur se janë në komunikim të përditshëm me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndonëse siç u shpreh, roli i tij është i rezervuar pasi KQZ është gjykatë autonome por ka të drejtën të ndërmarrë veprime. Ministri i bën thirrje Komisionit, që sa më shpejt të mundet, të veprojë pozitivisht në këtë drejtim.

Vota e emigrantëve ka qenë një ndër pikat e pakta që ka bërë bashkë të gjitha palët në tryezën e Këshillit Politik, e përfshirë në marrëveshjen e “5 qershorit”, megjithatë në dorë iu la KQZ-së së re për të bërë të mundur zbatimin e saj. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka ngritur grupin e punës lidhur me mundësinë e votimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë.