Bota

Zgjedhjet parlamentare në Francë, Macron rrezikon shumicën!

Aleanca e qendrës së presidentit francez, Emmanuel Macron, rrezikon të mos fitojë shumicën, pas raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare të ditës së djeshme në Francë. Në këtë proces zgjedhor ra në sy rritja për koalicionin e krahut të majtë. Aleanca “Së bashku” e shefit të Elizesë, Macron, garoi në rivalitet të fortë me grupin NUPES të së majtës, në raundin e parë të votimeve politike. Kujtojmë se në prill, Emmanuel Macron fitoi një mandat të dytë në krye të shtetit, pasi në balotazhin e 24 prillit mundi rivalen e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen. Për presidentin e rizgjedhur, këto zgjedhje parlamentare konsideroheshin si test i rëndësishëm dhe njëherazi, i pari pas fitores së presidencialeve.

Aleanca e Macronit ka arritur të sigurojë 25.75 për qind të votave të përgjithshme, në krahasim me NUPES-in që ka fituar 25.66 për qind të mbështetjes së qytetarëve me të drejtë vote. Duke marrë parasysh këto shifra, katër kompani të sondazheve kanë parashikuar që aleanca e Macronit mund të fitojë në raundin e dytë të zgjedhjeve të dielën e ardhshme, por problemi është se rrezikon shumicën, edhe pse shihet si grupi më i madh.

Ndërsa foli para gazetarëve, kryeministrja franceze, Elizabeth Borne u shpreh:

Ne kemi një javë për t’u mobilizuar, një javë për të bindur, një javë për të siguruar një shumicë të fuqishme.

Sipas shefes së qeverisë së Parisit, “aleanca e Macronit është grupi i vetëm politik që mund të sigurojë shumicën në Parlament”. Nëse ky koalicion nuk fiton shumicën, pritet që presidenti Macron të sfidohet nga partitë e krahut të djathtë kur të synojë të çojë përpara projektligjet dhe axhendën e tij. Sipas Kushtetutës së Francës, Presidenti i Republikës ka kontroll ekskluziv në politikën e jashtme dhe atë të mbrojtjes, por në çdo rast, atij i duhet shumica në parlament, për të miratuar legjislacionin e brendshëm.