Aktualitet

Zgjedhjet për kreun e PD-së, votimi vijon mes akuzave për parregullsi!

Deri në orën 13:00 në zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike kanë votuar mbi 31% e anëtarëve. Shifra u konfirmua nga kreu i Komisionit Zgjedhor në Selinë Blu, Jemin Gjana, i cili gjithashtu hodhi poshtë çdo pretendim të ngritur nga rivalët e Bashës se pati parregullsi.

Deri tani procesi ka qenë i rregullt! Përfaqësuesit në qendrat e votimit janë zëvendësuar me kërkesë të kandidatëve.

Pasi votoi, kreu i Këshillit Kombëtar të Selisë Blu, Bujar Nishani, mbështetës i kandidates Edith Harxhi, hodhi akuza ndaj Bashës.

50% e anëtarësisë është zhdukur brenda 3 muajsh. Atë që Rama bëri më 25 prill me qytetarët, Basha e bëri brenda Partisë Demokratike!

Akuzat për manipulime nuk munguan as nga kandidati Agron Shehaj:

Vëzhguesit e mi po mbahen larg e nuk iu lejohet të bëjnë verifikime në disa degë të Tiranës, si dhe në Delvinë, Patos, Devoll, Shkodër, Librazhd, Dibër, Berat. Në Devoll e Dibër po i lejojnë të votojnë masivisht pa asnjë kontroll.  Në Durrës u shtua një listë e re votuesish, krahas asaj të dërguar nga selia qendrore në Tiranë. Vëzhguesit tanë nga terreni kanë evidentuar se janë mijëra anëtarë të përjashtuar nga lista e përgatitur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i PD-së!

Fatbardh Kadilli, gjithashtu pretendent për kreun e Selisë Blu foli për një garë që e përshkroi si “të pabarabartë” nga fillimi e deri në fund ndërsa Edith Harxhi u shpreh e bindur se do të fitojë.

Për kryetarin e PD-së, votoi edhe Sali Berisha. I pyetur nga gazetarët nëse i qëndron deklaratës për rikthimin në krye të Selisë Blu, Berisha tha se “është konsistent në deklarata”. Me tej u ndal në zyrën e Bashës për një takim.

Pasi votoi, Lulzim Basha bëri këtë deklaratë:

Në këtë proces unik të vlerave tona, vlerave të demokratëve, procesit të zgjedhjes me “Një anëtar, një votë!” të kryetarit të Partisë Demokratike, janë vlerat tona të shprehjes së lirë, konkurrencës e debatit. Me këto vlera e kemi nisur betejën për ndryshimin për Shqipërinë e për shqiptarët, me këto vlera do të çojmë deri në fund përmbysjen e regjimit Rama-Doshi!

Qendrat e votimit u hapën në 08:00 të mëngjesit e pritet të mbyllen në 19:00. Nesër në mëngjes pritet të mësohet emri i fituesit mes Lulzim Bashës, Fatbardh Kadillit, Edith Harxhit e Agron Shehajt.