Bota

Zhvillim historik, OBSH mbështet vaksinën kundër malaries për fëmijët afrikanë!

Organizata Botërore e Shëndetësisë vendosi që vaksina e miratuar kundër malaries, të shpërndahet te fëmijët afrikanë, gjë që mund të shënojë përparim të madh kundër sëmundjes që çdo vit vret qindra mijëra persona. OBSH rekomandoi vaksinën Mosquirix, e krijuar nga kompania britanike e ilaçeve, GlaxoSmithKline që e mirëpriti rekomandimin e OBSH-së.

Prej vitit 2019, 2.3 milion doza të kësaj vaksine u janë dhënë foshnjave në Gana, Kenia e Malavi, përmes një programi të zgjeruar, të koordinuar nga OBSH-ja. Shumica e personave që vret malaria janë nën 5-vjeç.

Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus:

Programi është rezultat i një dekade testimesh klinike në 7 shtete afrikane. Kjo vaksinë u krijua në Afrikë nga shkencëtarët afrikanë dhe ne jemi shumë krenarë. Përdorimi i saj mund të shpëtojë mijëra jetë njerëzish, çdo vit!

Në Afrikë, malaria është shumë më vdekjeprurëse se COVID-19, ndërsa 94% e rasteve dhe vdekjeve prej saj raportohen në Afrikë, kontinent me 1.3 miliard banorë. Sëmundja shkaktohet nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Simptomat përfshijnë temperaturë, të vjella e këputje trupore. Një tjetër vaksinë kundër malaries e quajtur R21/Matrix-M, e zhvilluar nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit në Britani ka shfaqur 77% efikasitet në një studim të kryer për një vit me 450 fëmijë në Burkina Faso. Studimi vijon ende.

Ekspertët thonë se tani, sfidë do të jetë mobilizimi i financimit për prodhimin e shpërndarjen e vaksinës në disa prej vendeve më të varfra në botë. GSK-ja u zotua për prodhimin e 15 milion dozave të Mosquirix-it çdo ditë, deri më 2028-ën. Një studim parashikon se kërkesa për vaksinë kundër malaries do të shkojë nga 50 deri në 100 milion doza në vit deri më 2030-ën, nëse shpërndahet në zonat me shkallë të lartë të përhapjes së sëmundjes.