Rajoni

Zjarr në Athinë/ Mes 7 të lënduarve, një në gjendje të rëndë!

Shtatë persona u dërguan në spital, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë, pas një zjarri të rënë në lagjen Nea Zmrini të Athinës, në kryeqytetin e Greqisë.

Policia dhe forcat zjarrfikëse në vendin fqinj shkuan menjëherë në vendngjarje pasi disa persona thyen xhamin e hodhën lëndë djegëse në brendësi të një lokali në rrugën “Elefterios Venizelos”.

Flakët u përhapën me shpejtësi duke përfshirë pjesën ballore të një pallati dhe u desh ndërhyrja e dhjetëra zjarrfikësve për lokalizimin e shuarjen e tyre. Po ashtu, u bë evakuimi i personave të rrezikuar nga zjarri.

Gjashtë të plagosur janë në spital jashtë rrezikut për jetën. Por, një tjetër është në gjendje shëndetësore kritike pasi ka plagë djegieje të rënda.

Ekipet e zjarrfikësve, si edhe të policisë, po hetojnë lidhur me zjarrvënien e cila për pak sa u kthye në tragjedi.