Sociale

Zjarri u afrohet shtëpive në Pishë Poro, ministri: Operacioni nga ajri do të vijojë deri në neutralizimin e plotë

“Një ndër vatrat më problematike dhe më kaotike të zjarrit me të cilat jemi përballur deri më sot”. Kështu e ka cilësuar ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi zjarrin disa ditor në masivin pyjor të Pishë Poro-Darëzezë, teksa ka zbritur në terren për të monitoruar nga afër situatën.

Për ministrin Peleshi ndërhyrja nga ajri e dy avionëve Canadar, të nisur nga shteti fqinj grek ka ndihmuar për vënien nën kontroll të vatrave më problematike të zjarrit teksa ka theksuar se operacioni i ndërhyrjes nga ajri do të vijojë deri në neutralizimin e plotë të tyre.

Ministri Peleshi ka pohuar gjithashtu se krahas operacionit nga ajri do të vijojë edhe operimi në terren i të gjitha forcave operacionale.

“Ne do të jemi këtu dhe do të mbështesim me forca, mjete, dhe logjistikë deri në eleminimin e plotë të zjarrit i cili ka përshkuar një sipërfaqe të madhe në këtë masiv pyjor”, tha ai.

Pyetjes a duhej ndërhyrë më parë nga ajri, Peleshi iu përgjigj se “ne kemi qenë dhe do të jemi këtu. Çdo ndërhyrje ka rëndësinë e vet si nga ajri ashtu edhe nga toka, por specifika qe paraqet ky zjarr e ka të domosdoshme veçanërisht ndërhyrjen nga toka, gjë të cilën kemi bërë që ditën e parë të zjarrit”.