Rajoni

Zyrtare, më 2 tetor zhbllokohet kufiri Kosovë-Serbi!

Në Bruksel, arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi lidhur me targat. Detajet i dha i Dërguari Special i Bashkimit Europian për Dialogun, Mirosllav Lajçak:

Më 2 tetor, pra të shtunën, njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë e Bërnjak do të largohen bashkë me barrikadat. Largimi pritet në orarin 08:00-16:00. Për dy javë, në Jarinjë e Bërnjak do të vendosen trupat e KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë.

Nga 4 tetori, nis zbatimi i përkohshëm i letrave me ngjitje, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë e Serbi. Kjo deri në gjetjen e zgjidhjes së përhershme.

Më 21 tetor fillon punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Europian, Prishtinës dhe Beogradit, për të gjetur zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, Grupi i Punës do të prezantojë rezultatet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Situata u tensionua kur më 20 shtator, qeveria Kurti vendosi masën e reciprocitetit, që nënkuptonte targa të përkohshme për automjetet që kishin ato serbe dhe hynin në territorin e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti vuri në dukje se po vepronin njësoj si Serbia dhe se ky detyrim është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit për lëvizjen e lirë. Por, Beogradi reagoi ashpër e nuk munguan provokimet në kufij me avionë ushtarakë.

Ndërkaq, prej 11 ditësh, serbët e veriut të Kosovës mbajnë të bllokuara rrugët që çojnë drejt vendkalimeve të Jarinjës e Bërnjakut, në kufi me Serbinë. Kosova dërgoi aty njësitë speciale të Policisë.

Për të gjetur zgjidhje, pas vendosjes së reciprocitetit, dje dhe sot u zhvilluan negociata në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Madje, në kryeqendrën europiane shkoi edhe zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, i cili apeloi që të uleshin tensionet e sot do të japë një konferencë shtypi.