Rajoni

Zyrtarët amerikanë: Koha për themelimin e Asociacionit në Kosovë!

Një shkrim nga Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, përsëri bën thirrje për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Sipas tyre, “ndër qëllimet më të rëndësishme të Amerikës në Ballkanin Perëndimor është të ndihmojë në krijimin e kushteve për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore e të qëndrueshme Serbi-Kosovë”.

Gjatë javëve të kaluara, me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në kemi udhëtuar në Beograd e Prishtinë për të inkurajuar të dyja palët që të pranojnë propozimin e BE-së për të dy vendet, që të normalizojnë marrëdhëniet, të ndërprejnë ciklin e krizave e konfrontimit dhe të çojnë përpara me vendosmëri integrimin e tyre europian. Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dy palët duhet ta shfrytëzojnë.

Por, zyrtarët amerikanë thonë se “ndër detyrat më kritike mbetet zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin”.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, Kosova dhe Serbia nënshkruan më 2013-ën marrëveshjen për formimin e Asociacionit. Më 2015-ën u nënshkrua një marrëveshje tjetër, për parimet e këtij asociacioni. Më 2015-ën, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën, por që nenet mund të harmonizohen.

Beogradi kërkon që Prishtina të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është kundër një asociacioni njëetnik. Chollet dhe Escobar thonë se ka pasur shumë diskutime për Asociacionin, por sipas tyre, tani ka ardhur koha të tregohet qartë se çfarë është ky Asociacion e çfarë nuk është.

Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet e shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban e rural dhe zhvillimi ekonomik lokal. Me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse.

Eshtë mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë e qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira mes veriut e pjesës tjetër të vendit, si dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës.

Po kërkojmë nga Kosova që të ofrojë vizionin e saj për këtë asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë e mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve.

Komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët do të mund të punonin në mënyrë më efikase së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e shërbimeve publike, nëpërmjet ekonomive të shkallës e shkëmbimit të praktikave më të mira.

Asociacioni nuk do t’ia shtonte qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.