Aktualitet

14 Maji, PD pa komisionerë në disa qendra/PS kërkon plotësim të vakancave!

10 ditë nga zgjedhjet vendore të 14 Majit, ende Partia Demokratike nuk e ka çuar listën me komisionerët e saj në disa qendra. Nga kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, socialistët kërkojnë listën e personave që mund të emërohen kryesisht për të plotësuar vendet vakante. Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Eridian Salianji:

Së fundmi, jemi vënë në dijeni se në disa Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor, subjekti zgjedhor “Partia Demokratike” ende nuk ka dërguar propozimet dhe dokumentet për anëtarë në Komisionet e Qendrave të Votimit, në tejkalim te afateve të përcaktuara në nenin 36 pika 2 të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar.

Nisur nga sa më sipër, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt zgjedhor në përputhje me standardet e legjislacionit në fuqi, lutemi :

I. Të na vini në dispozicion një kopje të vendimit të Komisionerit së bashku me listën e personave që mund të emërohen kryesisht për të plotësuar vendet vakante për anëtar dhe sekretar të KQV-së, sipas përcaktimeve të nenit 36 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar dhe nenit 11 të udhëzimit nr. 2, datë 5.12.2020, të Komisionit Rregullator, “Në caktimin e procedurave të përzgjedhjes dhe trajnimit të shtetasve që mund të emërohen kryesisht për plotësimin e vakancave në Komisionet e Zonës së Administrimit Zgjedhor dhe Komisionet e Qendrave të Votimit”, i ndryshuar.

Ndërkaq, Celibashi shprehet se “ky proces nuk ka domethënie, edhe pse dikush preferon ta shohë politikisht”.

Nuk kemi përse ta fshehim që kanë interesa edhe partitë politike në këtë proces. Duhet ta kuptojnë, nuk kanë dallim substancial nëse propozohen nga PD, PL apo PS. Por, në pikëpamje të ligjit besoj që në pjesën dërrmuese, sjellja e këtyre komisionerëve është në përputhje me ligjin. Nuk ka rëndësi çfarë përkatësie politike ka. E kuptoj që partitë i shtyjnë këto, por për mendimin tim është një këndvështrim i gabuar. Për ne, nuk ka domethënie ky proces, edhe pse dikush preferon ta shohë në mënyrë politike.