Rajoni

400 kg kokainë sekuestrohen në arkat me banane në Malin e Zi, vinte nga Ekuadori!

400 kilogramë kokainë janë sekuestruar nga autoritetet e Malit të Zi pasditen e sotme në një magazinë. Mësohet se droga ishte fshehur në arkat e bananeve të kompanisë ‘Derby’ të cilat vinin nga Ekuadori.

Sipas raportimeve nga mediat vendase, ishin disa punëtorë që njoftuan policinë pasi konstatuan drogën mes arkave me banane. Policia aktualisht ndodhet tek magazina ndërsa punonjësit do të japin deklaratat e tyre.

Sakaq, punëtorëve ju është ndaluar rikthimi në magazinë deri në përfundim të hetimeve. Kompania e njohur ‘Derby’ mësohet se shpeshherë sjell banane edhe në Shqipëri. Deri më tani nuk ka asnjë person të ndaluar ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet.

Në lidhje me ngjarjen, ka reaguar edhe politikani malazez, Marko Milaçiç. Ai i bën thirrje autoriteteve të reagojnë urgjentisht.

“Sapo kemi marrë një foto nga qendra logjistike ‘Voli’ ku dyshohet se një sasi e madhe droge është kapur mes arkave me banane. Mali i Zi i bën thirrje të gjitha autoriteteve të reagojnë urgjentisht.”-shprehet ai në rrjete sociale.