Aktualitet

9 Maji, Dita e Europës, këtë vit nën shenjën e Ukrainës!

Sot shënohet Dita e Europës, që çdo vit më 9 maj, kremton paqen dhe unitetin në Europë. Me shenjën e Ukrainës, vendit të pushtuar nga Rusia më 24 shkurt të këtij viti, në emër të “operacionit ushtarak për ta çmilitarizuar”, kryeministri Edi Rama uroi sot Ditën e Europës.

Sot kontinenti ynë kremton Ditën e Europës nën shenjën e Ukrainës.

9 maji shënon përvjetorin e deklaratës historike të Schumanit. Gjatë një fjalimi në Paris, në vitin 1950, Robert Schuman, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Francës, prezantoi idenë e tij për një forme të re të bashkëpunimit politik në Europë, e cila luftërat mes popujve të Europës do t’i bënte të paimagjinueshme.

Më 9 maj 1950 u bë lëvizja e parë drejt krijimit të atij, që sot njihet me emrin Bashkimi Europian. Atë ditë në Paris, para gazetarëve nga e gjithë bota, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi një deklaratë që i bënte thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës e të tjera vendeve europiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut si “themeli i parë konkret i një federate të ardhshme europiane”.

Shuman propozoi krijimin e një institucioni europian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake. Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE-së vendosën ta festojnë 9 Majin si “Dita e Europës”.

Aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar Europës mori jetë që nga fillimi i viteve ‘90, menjëherë pas shembjes së regjimit komunist. Në mënyrë shumë domethënëse, për shqiptarët, ideja e ndryshimit u njësua me bashkimin me familjen e madhe europiane. Rruga e vetme për t’u ndarë nga izolimi tragjik dhe prapambetja e thellë ekonomike, u njësua me integrimin europian, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Europian, të dy palët nënshkruan Marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin në vitin 1992, akord i cili për herë të parë konkretizoi përpjekjet shqiptare për afrim dhe ndihmë nga Bashkimi Europian.