Rajoni

Abazoviç: Pritet dorëheqja e Gjukanoviçit, duhet të fillojë një epokë e re për Malin e Zi

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç pret që Milo Gjukanoviç të zyrtarizojë dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të DPS-së, pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale.

Abazoviç u shpreh se tanimë duhet të fillojë një epokë e re për Malin e Zi, shkruan Vijesti.

“Për mua ishte krejtësisht e pritshme, e kam paralajmëruar diku më parë. Lërini njerëzit të shikojnë deklaratat e periudhës paraprake dhe gjithçka do të jetë e qartë për ta. Po vazhdojmë, kemi shumë detyurime të tjera, ajo që ndodh brenda një partie nuk duhet të jetë me interes për ne. Një epokë ka përfunduar, një epokë e re për Malin e Zi duhet të fillojë dhe qytetarët të pajtohen”, theksoi ai.

Abazoviç nënvizoi se në kuadër të zgjedhjeve parlamentare, ky është problem i brendshëm i DPS-së dhe se nuk i intereson diçka e tillë.

“Fokusi është në gjëra të tjera, të ndërtohet Mali i Zi, të përgatitet sezoni turistik, kushdo që dëshiron të përgatitet për zgjedhje dhe të bëjë llogaritë e ka këtë mundësi”, tha ai.