Sport

Abissnet Superiore, sot Tirana-Laçi e Vllaznia-Partizani!

Tirana zbret sot në Stadiumin “Elbasan Arena” si skuadër pritëse ku do të përballet me Laçin, në orën 17:00, në një takim të vlefshëm për javën e 25-të të “Abissnet Superiore”. Pas humbjes në derbi, 2-0 me Partizanin, tashmë bardheblutë kërkojnë të ringrihen për të ruajtur pozitat kryesuese. Përballë është Laçi, por shumë larg atij që jemi mësuar të shohim. Në vendin e tretë nga fundi në klasifikim, tashmë i duhet që të luftojë për mbijetesë.

Sfida tjetër e ditës së sotme është ajo mes Vllaznisë dhe Partizanit, që do të luhet në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, po duke nisur nga ora 17:00. Në këtë sfidë, shkodranët vijnë pas barazimit me Teutën dhe një fitore me kryesuesit. Ndërkohë, Partizani është në vendin e parë, me pikë të barabarta me Tiranën, me nga 40 pikë. Vllaznia është  në kuotën e 36 pikëve, katër larg kreut. Nga ana tjetër, kryeqytetasit vijnë të karikuar pas suksesit në derbi. Pritet një sfidë mjaft e ndezur.

Nga mbijetesa te Europa. Ky ishte kapërcimi i Kukësit, që pas tre fitoresh radhazi u ngjit në vendin e 5-të me 34 pikë, duke dalë hapur si kandidat për një vend në zonën europiane të renditjes.

Verilindorët gjetën ekuilibrat e duhur nën drejtimin e Rrahman Hallaçit dhe pasditen e djeshme ia dolën të triumfojnë me rezultatin 2-0 ndaj Bylisit në “Kukës Arena”.

Po dje, sërish ngeci në barazim Teuta, që pas një pike të marrë ndaj Vllaznisë siguroi edhe një tjetër ndaj Kastriotit në transfertë. Durrsakët e Edi Martinit luajtën për më shumë se një pjesë me një lojtar më tepër, pasi Abaz Karakaçi u ndëshkua me karton të kuq. Por, “djemtë e detit” nuk ia dolën të shfrytëzojnë epërsinë numerike, për të shënuar të paktën një gol, që do t’u jepte tri pikët në këtë transfertë.

Rezultat zhgënjyes edhe për vendasit, që pozicionohen në vendin e fundit me 24 pikë dhe mbijetesa duket një mision i pamundur. Nga ana tjetër, Erzeni u rikthye te fitorja pas pesë ndeshjesh, duke mundur me rezultatin 2-1 Egnatian.