Aktualitet Sociale

Abortet për 1000 lindje u rritën vitin e kaluar/Numri i bebeve po bie me shpejtësi!

Numri i bebeve të lindura ka pësuar rënie të fortë vitin e kaluar (9,8%), por nga ana tjetër raporti i abortit (ndërprerja e shtatzënisë për 1000 lindje te gjalla) pësoi rritje për të dytin vit radhazi.  INSTAT-i raportoi se në vitin 2022 kishte 170 aborte për 1000 lindje, nga 164 që ishte ky tregues më 2021-shin. Numri i aborteve në vitin 2022 ishte 4.199. Raporti lindje-abort tregon se për çdo 5,9 lindje, ka ndodhur paralelisht edhe një abort.

Abortet spontane mbajnë peshën më të madhe të aborteve duke përbërë 83,9 % të totalit. Pjesa më e madhe e aborteve kryhen nga gratë e grup-moshës 20-34 vjeç, e cila është dhe grup-mosha më riprodhuese e gruas.  Abortet klasifikohen në spontane e të provokuara. Aborti i provokuar është një veprim i ndërmarrë me qëllim për të ndërprerë barrën kryesisht për arsye shëndetësore. Të gjitha abortet e tjera konsiderohen spontane.

Raporti i abortit për grup-moshën 15-19 vjeç rezulton të jetë i lartë në moshën 19 vjeçare, ku vihet re vlera më e lartë të këtij treguesi: 119 aborte për 1.000 lindje të gjalla.

Ndër vite, vihet re se gratë me nivel më të ulët arsimor kanë përqindjen më të lartë të aborteve të kryera. Vitin e kaluar 29,4 % e grave me arsim 9-vjeçar kryen aborte, përkundrejt 24,6 % e grave me arsim të lartë.

Sipas statusit martesor, 71,6 % e aborteve janë kryer nga gratë e martuara dhe 7,5 % nga gratë beqare.

Abortet e kryera nga gratë e papuna ose të pasiguruara, ndër vite, ndjekin të njëjtin trend dhe nivele të përafërta. Në vitin 2022, përqindja e aborteve të kryera nga gratë e punësuara shënoi një rënie prej 1,7 pikë përqindje, krahasuar me vitin e kaluar.

Vit pas viti, abortet spontane po rriten, për arsye të komplikacioneve në barrë. Mjekët obstetër shpjegojnë se martesat në mosha të mëdha dhe niveli i lartë i ndotjes, shpesh bëhen shkak për ndërprerje jo të vullnetshme të shtatzënive.

Një studim rajonal ka gjetur se në kryeqytetet e shteteve të Ballkanit ka ulje të fertilitetit dhe nivel të lartë abortesh nga ndotja shumë më e lartë se normat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë./Monitor