Aktualitet

Aksidentet përgjakin rrugët e vendit, një viktimë e dy të plagosur në Shkodër e Sarandë!

Një i vdekur dhe dy të plagosur, mes tyre një 12-vjeçar. Ky është bilanci i dy aksidenteve në veri e në jug të vendit. Pranë fshatit Stajkë në aksin Shkodër-Vau i Dejës, një 62-vjeçar humbi jetën nga përplasja e një automjeti me një motor. Fatkeqësisht, viktimë mbeti drejtuesi i këtij të fundit. Ndërsa po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit, policia shoqëroi shoferin e makinës, një 28-vjeçar nga Lezha.

Në Konispol, nga përplasja e dy motorëve u plagos drejtuesi i njërit prej tyre, vetëm 12-vjeç. Ngjarja ndodhi sot në fshatin Xarë ndërsa një 27-vjeçar mori lëndime të lehta. Në vendngjarje vazhdojnë hetimet.

Njoftimi i Policisë:

Aksidenti ndodhi rreth orës 07:45, në fshatin Xarë, Bashkia Konispol, ku janë përfshirë në një aksident rrugor dy motomjete që drejtoheshin nga shtetasi A.B.,27 vjeç dhe nga një i mitur 12-vjeçar me iniciale A.B.

Si pasojë e përplasjes, i mituri 12 vjeçar ka marrë dëmtime të rënda dhe ndodhet në spitalin e Sarandës, ndërsa shtetasi A.B.,27 vjeç, është dëmtuar lehtë. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.