Rajoni

Aksident tragjik në Bullgari, humbin jetën 46 persona, shumica shqiptarë të Maqedonisë së Veriut!

Tragjedi në një autostradë në Bullgarinë perëndimore, ku një autobus me targa të Maqedonisë së Veriut mori flakë pas përplasjes e humbën jetën të paktën 46 persona, shumica shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Mes atyre që humbën jetën ishin 12 fëmijë.

Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, në autostradën “Struma” Sofje-Bllagoevgrad rreth 40 kilometra në jug kryeqytetit Sofje. 7 vetë shpëtuan dhe u dërguan në spital, për t’u trajtuar nga djegiet e marra. Burime spitalore thonë se gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e qëndrueshme. Policia bullgare nisi hetimet.

Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Bullgarisë, Nikolai Nikolov i tha televizionit privat BTV:

Të paktën 45 persona kanë vdekur pasi një autobus u përplas dhe më pas është përfshirë nga flakët.

Por, pak minuta pas kësaj deklarate, autoritetet e përditësuan bilancin e viktimave, duke konfirmuar shifrën 46. Besohet se në autobusin që kthehej nga Stambolli i Turqisë për në Shkup, gjendeshin 53 persona. Automjeti ishte në pronësi të një agjencie turistike.

Shkaku i përplasjes po hetohet. Në raportimet paraprake të mediave bullgare, u bë e ditur se autobusi mund të ketë goditur një parmak.  Ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Boyko Rashkov, shkoi në vendin e ngjarjes.

Nuk është për t’u parë. Kurrë nuk kam parë diçka të tillë!

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev shprehu ngushëllime ndërsa udhëtoi drejt Bullgarisë, i shoqëruar nga zv.kryeministri Bujar Osmani e ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Zaev tha se për lajmin tragjik u njoftua nga presidenti bullgar Rumen Radev e kryeministri Stefan Janev.

Bullgaria është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse. Më i fundit, në vitin 2018, kur 17 turistë bullgarë humbën jetën pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së një autobusi, si pasojë e lagështisë. Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë. Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë humbur jetën në aksidente rrugore më 2019-ën dhe 463 vitin e kaluar, në Bullgarinë me 6.9 milion banorë.