Rajoni

Aksidenti me 44 viktima në Bullgari, nuk kishte lëndë shpërthyese në autobus/Hetohet për gabim njerëzor!

“Gabimi njerëzor” është dyshimi kryesor që besohet të ketë shkaktuar aksidentin tragjik të dy ditëve më parë në Bullgari, ku humbën jetën 44 udhëtarë, shumica nga Maqedonia e Veriut. Zëvendëskryeprokurori dhe drejtori i Shërbimit Hetimor Kombëtar në Bullgari, Borislav Sarafov:

Për momentin, pista më e besueshme është ajo e faktorit njerëzor dhe po shqyrtohen kushtet e rrugës në vendin ku ndodhi aksidenti, si sinjalistika e ndriçimi. Trotuari që goditi shoferi i autobusit është i panevojshëm dhe i rrezikshëm. Në vendngjarje nuk pati asnjë shpërthim, por zhurma e fortë që u dëgjua ishte ajo e autobusit që u përplas në trotuar, ndoshta kjo është arsyeja pse autobusi mori flakë.

Nga autopsitë rezulton se të gjithë pasagjerët humbën jetën nga asfiksia prej tymit e jo nga përplasja. Kjo do të thotë se ishin gjallë në momentin kur ra zjarr. Vlerësimi i shkaqeve të aksidentit duhet të jepet nga analiza përfundimtare, por versioni kryesor për momentin është gabim njerëzor.

Saktësohet se në vendin e aksidentit u gjetën trupat e 44 personave, tetë mbijetuan ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur. Prokurorja Sijka Mileva:

Gjatë marrjes në pyetje, njëri prej të mbijetuarve tha se janë shpëtuar tetë persona, jo shtatë. Njëkohësisht, në vendin e tragjedisë u gjetën 44 trupa. Hetuesit po kontrollojnë versionin për të parë nëse ka një tjetër të mbijetuar dhe se ku ndodhet. Mund të ketë dalë nga kufiri me një automjet, një autobus tjetër, që duhet kontrolluar.

Prokurorët bullgarë hedhin poshtë spekulimet për ndonjë akt terrorist.

Versioni për ndonjë akt terrorist u hetua siç duhet, ne e refuzojmë kategorikisht!

Po ashtu, hidhen poshtë dyshimet se në autobus kishte sasi karburanti kontrabandë.

Pati informacione se në autobus po transportohej benzinë dhe se mund të ketë qenë mes shkaqeve të shpërthimit, por e hedhim poshtë si të pabazuar. Tre bidonë u gjetën në vend, që përmbanin vetëm mbetje vaji, pra nuk ishin të mbushur e as të djegur. Kjo nënkupton se zjarri nuk është shkaktuar nga karburanti.

Në orët e para të datës 23 nëntor, autobusi me targa të Maqedonisë së Veriut, u përfshi nga flakët në një autostradë në jugperëndim të Sofjes. Shumica e udhëtarëve ishin turistë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë.