Bota Celebrities

Aktori i njohur Ben Stiller në vizitën e tij në Ukrainë!

Aktori i njohur i Hollywood-it, Ben Stiller, ka vizituar të dielën Ukrainën e shkatërruar nga lufta dhe takoi disa familje që u detyruan të largoheshin nga ky vend. 56-vjeçari vizitoi kryesisht refugjatët ukrainas në Poloni si ambasador i vullnetit të mirë në UNHCR, ndërsa më pas është parë edhe në Lviv në mesin e një grupi të vogël njerëzish.

Qyteti në Ukrainën perëndimore u sulmua nga forcat ruse gjatë agresionit që po zgjat me muaj, por mbeti relativisht i paprekur në krahasim me sulmet e ashpra në lindje të vendit. Për vizitën e Stiller ka folur edhe Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës, duke shpërndarë fotografi të aktorit. Ai ka shkruar në Twitter:

Aktori hollivudian Ben Stiller, ambasador i vullnetit të mirë në UNHCR është fotografuar në Lviv. Ai ka shpenzuar kohë me refugjatët ukrainas në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës gjithashtu. Faleminderit mik!

Edhe vetë Stiller ndau në rrjetet e tij sociale fotografi të takimit me familjet jeta e të cilave u shkatërrua nga lufta dhe dhuna në Ukrainë. Ai është shprehur:

Miliona janë detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre dhe më shumë se 90% e tyre janë gra dhe fëmijë. Unë jam këtu për të mësuar, për të ndarë histori që ilustrojnë ndikimin e luftës te njerëzit dhe për të rritur thirrjen për solidaritet. Të gjithë kanë të drejtën e sigurisë. Kushdo. Kudo. Në çdo kohë.