Rajoni

Albin Kurti: Marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet saktë dhe me shpejtësi!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shprehet se marrëveshja e arritur me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të zbatohet saktë e shpejt. Deklaratat i bëri ndërsa komentoi takimin e planifikuar për më 4 prill në Bruksel mes dy kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi: Besnik Bislimi e Petar Petkoviç.

Më 4 prill, ata do të diskutojnë çështjen e zbatimit të marrëveshjes që tashmë është dakordësuar. Pra, ka marrëveshje, ekziston marrëveshja. Ajo është shumë e qartë, publike për të gjithë.

Nuk ka mundësi që diçka të zbatohet e diçka të mos zbatohet. Ashtu siç nuk mund të ketë nënshkrim të njëanshëm të marrëveshjes dhe as të aneksit të zbatimit, njësoj nuk mund të ketë as zbatim të njëanshëm të marrëveshjes. Prandaj, marrëveshjen nuk duhet ta coptojmë.

I pyetur për emergjencat e mundshme në zbatim të marrëveshjes, Kurti deklaroi se ky term vlen për çështjen e të zhdukurve.

Eshtë caktuar për të martën e ardhshme, më 4 prill, takimi i kryenegociatorëve të Kosovës e të Serbisë. Datën e konfirmuan zyrtarë të Bashkimit Europian në Bruksel. Një ditë më parë, zëdhënësi i Unionit, Peter Stano, vuri në dukje se ky takim do të organizohet me ftesë të ndërmjetësuesit të Dialogut, Mirosllav Lajçak, si i dërguari i BE-së.

Takimi i negociatorëve kryesorë është i pari pas bisedimeve në Ohër të Maqedonisë së Veriut e ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiç arritën një dakordësi lidhur me zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Dokumenti nuk u firmos nga Vuçiç, por BE-ja nuk ka dyshime se kjo është një marrëveshje dhe e konsideron të tillë.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, si dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kosova e Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve prej vitit 2011. Deri tani, Prishtina e Beogradi kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar. Kjo ka bërë që palët të fajësojnë njëra-tjetrën për bllokime.