Bota Travel

Alitalia, pas kësaj date anulon të gjitha fluturimet! Ja çfarë pritet të ndodhë me ata që kanë rezervuar!

Kompania italiane Alitalia, ka deklaruar se të gjitha fluturimet e saj pas datës 15 tetor do të anulohen. Kompania ajrore më e madhja e Italisë është gati për të deklaruar falimentimin dhe pasagjerët të cilët kishin rezervuar një fluturim duhet të bëhen gati për atë se çfarë do të ndodhë pas 15 tetorit. Italia është përpjekur të gjejë investitorë për të shpëtuar linjën ajrore të falimentuar, pasi e kishte marrë nën administrimin shtetëror në vitin 2017.

Situata është përkeqësuar nga pandemia e cila shkaktoi anulim të fluturimeve në të gjithë botën për muaj të tërë dhe Alitalia tani do të ndërpresë funksionimin krejtësisht. Në vitin 2019, para shpërthimit të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, linja ajrore transportoi 21.3 milion pasagjerë në 81 destinacione të ndryshme me 3,600 fluturime çdo javë. Deri në muajt e fundit ajo kishte punësuar më shumë se 10,000 punëtorë, por është e paqartë se çfarë do të ndodhë me ta kur të mbyllet Alitalia.

Mundësitë për udhëtarët në këtë rast janë pak të komplikuara, por duket se do të jenë në gjendje të fluturojnë ose të marrin një rimbursim. Është e rëndësishme të theksohet se do të keni më shumë opsione në dispozicion nëse keni rezervuar biletat me Alitalia para 24 gushtit 2021, me një numër biletash që fillon me “055”. Kjo është gjëja e parë që duhet kontrolluar.

Lajmi i mirë është se linja ajrore po merr mbështetjen e qeverisë dhe kjo do t’u kalohet udhëtarëve. Qeveria italiane ka krijuar një fond prej 100 milionë eurosh për të rimbursuar klientët e linjës ajrore. Ajo vjen pasi vendi ra dakord për një marrëveshje shpëtimi me BE-në për të krijuar një kompani të re pa borxhe që do të merrte përsipër asetet e saj. Gazeta italiane “Corriere Della Sera” vlerëson se ka rreth 250,000 njerëz që do të fluturojnë me Alitalia pas 15 tetorit.

Kompania thotë se këta klientë do të kenë dy mundësi: të zëvendësojnë fluturimet e tyre me një fluturim ekuivalent të Alitalia para asaj date ose të marrin një rimbursim të plotë. Nëse zëvendësojnë biletën e tyre, pasagjerët ose mund të rezervojnë ose të ndryshojnë itinerarin e tyre origjinal. Alitalia njoftoi në mediat sociale se do të dërgonte një “komunikim të drejtpërdrejtë” për të gjithë klientët me udhëzime.