Bota

Amerika miraton pilulën e dytë anti-koronavirus!

Vetëm një ditë pas autorizimit të pilulës së parë antivirale për koronavirusin Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, FDA, autorizon një pilulë të dytë antivirale për trajtimin e COVID-19/ës.

FDA lëshoi ​​një autorizim për përdorim urgjent edhe për Molnupiravirin e Merck-ut, (MRK) për trajtimin në raste të lehta të sëmundjes, deri në një status mesatar të koronavirusit.

Pilula është miratuar për përdorim nga të rriturit me rezultate pozitive të testit viral të SARS-CoV-2 dhe që janë në rrezik të lartë për COVID-19, duke përfshirë shtrimin në spital ose vdekjen.

Molnupiravir ofrohet vetëm me recetë e duhet të fillohet sa më shpejt që të jetë e mundur, pas konfirmimit me koronavirus, si dhe brenda pesë ditëve nga fillimi i simptomave.

FDA-ja ka miratuar së fundmi edhe pilulën Paxlovin të kompanisë amerikane Pfizer. Të dyja pilulat mund të merren nga goja në shtëpi, një miratim novator për profesionistët e kujdesit shëndetësor.

Ndërkaq, në një tjetër zhvillim të lidhur me koronavirusin, sot në mesazhin tradicional për Krishtlindjet, kryeministri britanik, Boris Johnson do të nxisë qytetarët të marrin vaksinat përforcuese anti-COVID. Këtë pritet ta përshkruajë si një dhuratë të mrekullueshme për familjet e tyre. Gjithashtu, shefi i qeverisë së Londrës do të nënvizojë se “pandemia është larg përfundimit, pasi varianti Omicron i koronavirusit, po fuqizohet”.

Republika Çeke që është në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të rritjes së rasteve me COVID, rikthen kufizimet e ashpra. Në natën e ndërrimit të viteve, nuk lejohen grumbullime të më shumë se 50 personave e të gjithë pjesëmarrësve duhet t’u kontrollohen certifikatat e vaksinimit. Nga 29 dhjetori deri më 2 janar, në tryezat e restoranteve nuk mund të ulen më shumë se katër vetë, me përjashtim të atyre që janë nga e njëjta familje.