Aktualitet Bota

Angli, shqiptarët arratisen nga qendra e emigracionit para dëbimit!

Në Britaninë e Madhe, tetë shqiptarë në mesin e 13 të arrestuarve u arratisën nga një qendër emigracioni ku po prisnin para dëbimit për në vendet respektive. Për t’u larguar, ata përfituan nga shkaktimi i një trazire. Nga mediat britanike mësohet se pesë prej tyre u kapën, por tetë të tjerë, të gjithë shqiptarë, pjesa më e madhe rreth të 20-ave, ende janë në kërkim. Gazeta “The Sun” shkruan se disa nga ata rezultojnë të dënuar për trafik droge.

Burime për gazetën “The Sun” thanë se rrëmuja filloi kur 40 persona të arrestuar u penguan të përdornin palestrën në qendrën e emigracionit Yarl’s Wood, në Milton Ernest, Beds, të premten në mbrëmje.

Të arratisurit, të cilët mbaheshin në këtë qendër në pritje të dënimit të tyre, kanë përdorur pajisjet e palestrës për të dëmtuar pronën dhe mjedise të ndryshme.

Një ekip elitar dhe Grupi Kombëtar i Reagimit Taktik u dërguan për të rivendosur rendin. Ndihmës shefja e policisë së Bedfordshire-it, Karena Thomas tha:

Gjatë incidentit, 13 persona u larguan nga ambientet përmes gardhit të jashtëm. Pesë prej tyre janë arrestuar, por tetë të tjerë, shtatë shqiptarë rreth të 20-tave dhe një rreth të 30-tave, ende janë në kërkim.

Ne po vazhdojmë që të hetojmë vendndodhjen e tyre për të garantuar sigurinë e të arrestuarve, si dhe publikun e gjerë e dëshirojmë të sigurojmë njerëzit se asnjëri nuk paraqet ndonjë rrezik për komunitetin e gjerë.

Një burim i afërt me Sekretaren britanike të Punëve të Brendshme, Suella Braverman tha se ajo kishte qenë në kontakt me drejtuesit e policisë për të siguruar që është bërë çdo përpjekje për të gjetur të arratisurit. Ndërkohë në qendër është rikthyer qetësia, çka bëhet e ditur nga ata që e drejtojnë:

Tani, qendra është e qetë dhe situata plotësisht nën kontroll. Ngjarja është çështje e policisë për hetime lidhur me rrethanat.