Aktualitet

Arrestimi i të shumëkërkuarit Dumani, kryepolici Nano jep detaje!

Atentati ndaj të kërkuarit të drejtësisë, Talo Çela i kushtoi plagosjen dhe më pas arrestimin të shumëkërkuarit Nuredin Dumani. Ai u prangos në mbrëmje nga forcat RENEA, në një operacion në Fier, pasi më herët gjatë ditës së djeshme u përplas me Çelën në Elbasan. Në aksin Elbasan-Peqin, Çela e persona të tjerë po lëviznin me një “BMW” me targa të vjedhura vitin e kaluar në Durrës. Ata u bënë shënjestër e atentatit me armë rreth orës 17:35 minuta dhe u detyruan të braktisnin makinën duke u larguar.

Nga shkëmbimi i zjarrit, Dumani u plagos në shpatull dhe iu drejtua Fierit, ku u kap në një apartament. Policia mori informacion për zhvendosjen dhe nga Fieri, nën masa të rrepta sigurie, i shumëkërkuari u dërgua me autoambulancë në Spitalin e Traumës në Tiranë ku raportohet se është jashtë rreziku për jetën.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, rreth orës 01:00 pas mesnate, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano dha detaje rreth arrestimit të Nuredin Dumanit.

Gjatë operacionit “Arratia” u bë e mundur kapja dhe arrestimi i një prej personave më të kërkuar, i dyshuar për disa vrasje, Nuredin Dumanit. Bashkë me shtetasin Nuredin Dumani u arrestuan Henrik Hoxhaj, banues në lagjen Apollonia, Fier. 40 vjeçari u kap i armatosur me një armë zjarri pistoletë në brez dhe një pistoletë në automjet.

Po ashtu, u kapën dy persona të tjerë, për të cilët Grupi Hetimor po punon për sqarimin e pozitës së tyre, për lidhjet me Dumanin.

Në momentin e kapjes, Nuredin Dumani ishte i plagosur me armë zjarri. Sipas mjekëve, gjendja e tij është e stabilizuar dhe pas ndihmës së parë në qytetin e Fierit u transportua për në Spitalin e Traumës në Tiranë. Deri tani janë kapur e sekuestruar dy armë zjarri pistoletë dhe dy armë zjarri  kallashnikov, (një kallashnikov u sekuestrua nga Policia e Elbasanit).

Hetimi vazhdon për të gjithë ngjarjen.

Historia e armiqësisë Dumani-Çela, dikur miq, daton pak kohë më parë dhe emrat e tyre lidhen me një seri ngjarjesh të rënda, përfshirë disa vrasje, mes tyre e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, krim për të cilin akuzohet 37-vjeçari Dumani.