Aktualitet

Arrin nivelin e 2019-ës, Euro zhvlerësohet ndaj lekut!

Euro vijon të humbasë pikë kundrejt lekut, dhe zhvlerësimi ka qenë më i shpejtë gjatë kësaj jave. 1 euro sot këmbehet në tregun valutor me 120.78 lekë që është niveli më i ulët i regjistruar që prej gushtit të 2019, kur ishte piku i sezonit turistik. Këto janë vlerat më të ulta historike që po prek monedha europiane.

Në raport me 15 dhjetorin e vitit të kaluar euro ka humbur 2.85 pikë. Shkak për këtë zhvlerësim sipas ekspertëve është oferta e lartë për euro në tregun formal dhe informal dhe së dyti vjen si rezultat i sezonalitetit.

Dhjetori është muaji kur rriten remitancat në hyrje, të cilat të kombinuara edhe me flukse të emigrantëve që kthehen gjatë festave të fundvitit, kanë një ndikim të lehtë në shtesën e ofertës në euro dhe uljen e çmimit të saj kundrejt lekut.

Nga ana tjetër ndikim në rënien e euros sipas sekretares së Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, Brunilda Isaj ka edhe marrja e eurobondit në tregjet ndërkombëtare në fund të muajit nëntor, në vlerën e 650 milionë eurove.

Po ashtu sipas saj në vitet e kaluara rënia e euros ka qenë më e lehtë pasi shumë nga kompanitë e huaja kanë transferuar fitimet pranë kompanive mëmë, por këtë vit duket se fitimet po i mbajnë në arkën e tyre për të pasur rezerva të mjaftueshme, me qëllim mirë-menaxhimin e rrezikut të kursit të këmbimit.

Luhatjet në kursin e këmbimit pritet të jenë prezente deri në fillim të muajit të ardhshëm.

–SH.C–