Rajoni

Avioni me armë i rrëzuar në Greqi, Athina notë proteste Beogradit!

Greqia e ka nisur javën duke i dorëzuar sot ankesë Serbisë, pasi një avion ukrainas i mallrave e që po transportonte armë e municione, u përplas të shtunën në mbrëmje, ndërsa tentoi të bënte një ulje emergjente në veri të vendit fqinj. Një zyrtar i Qeverisë greke, i cili nuk preferoi të identifikohej para se të jepej njoftimi zyrtar, u shpreh:

Ambasadori grek në Beograd është udhëzuar që të ankohet te Qeveria serbe për të theksuar nevojën që autoritetet greke të informohen paraprakisht për natyrën e ngarkesës së avionit.

Tetë anëtarë të ekuipazhit të avionit të mallrave, që ishte në pronësi të një kompanie ukrainase, humbën jetën pas rrëzimit të mjetit fluturues mbrëmjen e 16 korrikut, në Kavalla të Greqisë. Për nxjerrjen e trupave të pajetë të ukrainasve u dha njoftim sot. Pas rrëzimit, raportohet se në zonë pati shpërthime të eksplozivëve, për të paktën dy orë.

Autoritetet serbe thanë se avioni po transportonte një ngarkesë të konsiderueshme me 11.5 tonë minahedhës e të tjera mina serbe, për në Bangladesh. Avioni ishte parashikuar të bënte një ndalesë në Aman të Jordanisë.

Për të dytën ditë radhazi, ekipet ushtarake greke gjenden në terren, në vendin ku u rrëzua avioni, për të siguruar pastrimin e zonës nga minat, ndonëse një zëdhënës i zjarrfikësve deklaroi se nuk ka materiale të rrezikshme atje. Avioni ukrainas i mallrave u rrëzua rreth 40 kilometra në perëndim të Aeroportit Ndërkombëtar të Kavallës.