sport

Barazim i ëmbël në Durrës, Tirana finaliste e Kupës së Shqipërisë përball Teutës

Kupa e Shqipërisë zhvilloi sot dy ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve. Egnatia – Tirana do jetë finalja e 1 qershorit në këtë kompeticion që do luhet në “Elbasan Arena” në orën 19:00. Në 14:00 në Rrogozhinë, Egnatia fitoi 1-0 me Vllazninë dhe siguron e para biletën e finales së Kupës së Shqipërisë.

Një gol i Jackson në minutën e 90-të të ndeshjes ka bërë që skuadra e Tetovës të bëjë historinë dhe për herë të parë të jetë në finalen e Kupës, duke zbritur nga froni shkodranët, që janë kampionët në fuqi të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e parë në “Loro Boriçi” ishte mbyllur 1-1.

Në 17:00 në “Niko Dovana” Teuta dhe Tirana barazuan 0-0, me bardheblutë që fituan 3-0 në ndeshjen e parë dhe marrin biletën e finales.

Egnatia fitoi 1-0 me Vllazninë në gjysmëfinalen e kthimit në Kupën e Shqipërisë, me rrogozhinasit që pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë marrin biletën e parë për në finalen e Kupës. Skuadra e Edlir Tetovës shkruan kështu historinë, duke shkuar për herë të parë në një nivel të tillë. Ndeshja në “Arena Egnatia” nisi me grintë, teksa Çoba te miqtë u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa pas konsultimit me VAR arbitri Enea Jorgji anuloi vendimin. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 90-të nga Jackson. Kapiteni brazilian lëshoi një silurë nga jashtë zone, me Qarrin që pa topin pas shpinës. Kështu, pasi e mundi pak ditë më parë 0-4 në “Loro Boriçi”, Egnatia ia merr dorën shkodranëve, duke shkruar historinë edhe pse pa tifozë për shkak të dënimit.

Teuta dhe Tirana barazuan 0-0 në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë, Tirana është finalistja e dytë e Kupës pas Egnatias. Përballja për trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend do luhet në 1 qershor. Skuadra e Orges Shehit pas tre vitesh rikthehet në finale, teksa synon trofeun e 17-të të Kupës, ndërsa merr pjesë për herë të 27-të në një finale Kupe.