Aktualitet

Barometri i biznesit/ Shqetësimi më i madh i sipërmarrjeve shqiptare: Rritja e kostove për forcën e punës

Rritja e kostove për forcën e punës është shqetësimi më i madh i sipërmarrjeve shqiptare sipas barometrit të biznesit për gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor. 89% e bizneseve pohuan se kostot e punës u rritën akoma më shumë gjatë vitit 2023. Ndërkohë emigrimi u lartë I të rinjve është një tjetër problematikë pasi shumë sektorë të ekonomisë po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore, çka ka nxitur dhe rritjen e pagave dhe të kostove për biznesin. Kjo gjë po pengon fushën e turizmit dhe atë të industrisë që të zhvillohet akoma më shumë.

I njëjti shqetësim shfaqet dhe në Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë bizneset e Ballkanit Perëndimor e shohin situatën paksa më të favorshme se një vit më parë, pasi indeksi i kënaqësisë së tyre u rrit me 5 pikë duke shkuar nga 53 në 58.

Megjithatë, 77% e bizneseve thonë se kostot e tyre operacionale janë rritur, 6% më shumë se në vitin 2022. Vetëm një e treta e bizneseve parashikojnë një përmirësim të situatës së tyre ekonomike në 12 muajt e ardhshëm.

Kjo pasi paqëndrueshmëria makroekonomike, disponueshmëria e fuqisë punëtore dhe emigrimi janë identifikuar si faktorët më shqetësues që ndikojnë në rritjen e biznesit në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë bashkëpunimi rajonal perceptohet si i rëndësishëm nga 74% e bizneseve, duke shënuar një rritje prej 5% nga viti i kaluar dhe një rritje prej 23% që nga viti 2016.

Mbështetja më e lartë vjen nga Shqipëria me 85%, dhe Bosnja dhe Hercegovina me 84% ku vërejmë një 9% rritje nga viti i kaluar. Anketat e Barometrit Ballkanik të vitit 2023 u kryen midis fillimit të shkurtit dhe fillimit të prillit 2023 ndërsa u paraqitën 80 pyetje për 1211 pronarë, menaxherë apo drejtues biznesesh.