Bota

BE-ja marrëveshje në parim për pasaportën e vaksinimit!

Bashkimi Europian arrin marrëveshje në parim për të ashtuquajturën “pasaportë vaksinimi anti-COVID”. Nisma do të mundësonte lehtësira në lëvizjet brenda Bllokut dhe është me rëndësi sidomos për vendet që kanë të zhvilluar turizmin.

Ndërkaq, shefja e Komisionit Europian shprehu bindjen se deri në fund të verës do të përmbushin objektivin për të vaksinuar 70% të popullsisë se rritur europiane apo 255 milionë qytetarë. Ursula von der Leyen i bëri komentet në përfundim të samitit online dy-ditor të BE-së që nisi dje.

Ndërkohë Fondi i Emergjencës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF)  nënshkroi një marrëveshje me kompaninë AstraZeneca për të siguruar për 85 vende , 170 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19). Në një njoftim nga UNICEF-i thuhet se organizata dhe AstraZeneca arritën një marrëveshje për furnizimin me vaksinat kundër COVID-19 në emër të programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.