Celebrities Showbiz

Bebe Rexha uron Britney Spears me fjalët më të ëmbla pas përfundimit të kujdestarisë!

Britney Spears nuk do të jetë më nën kujdestarinë që ka sunduar jetën e saj për 13 vitet e fundit. Britney e ka përshkruar përfundimin e një marrëveshjeje ligjore që kontrollonte shumë aspekte të jetës së saj për 13 vjet si ditën më të mirë që ka pasur ndonjëherë.

Ditën e premte, një gjykatës në Los Angeles i dha fund kujdestarisë të krijuar nga babai i këngëtares 39-vjeçare në vitin 2008, duke hyrë në fuqi menjëherë. Fansat e saj ishin mbledhur jashtë gjykatës për të mbështetur Britney-n, e cila e kishte përshkruar kujdestarinë si abuzive.

Pas këtij lajmi yje të shumtë të botës së showbiz-it kanë uruar 39-vjeçaren, mes tyre edhe artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha. Ajo ka ndarë në Instagram një fotografi ku shihet përkrah Britney, teksa kujtoi emocionet që kishte përjetuar ku u takua për herë të parë me të. Ajo shkroi:

Urime mbretëreshë. Mbaj mend se sa nervoze isha kur të takova për herën e parë. Nuk mund të qëndroja pa lëvizur. Truproja jote na lejoi të hynim në dhomën tënde të zhveshjes dhe gjëja e parë që më the ishte se sa një kompozitore e mrekullueshme jam. Më preku shpirtin. Ikona ime, të cilën e pashë dhe u frymëzova gjatë gjithë jetës sime, më tha se isha një kompozitore e mrekullueshme. Ky ishte një moment historik. Jam e lumtur që je e lirë, por tani duhet të të mbrojmë me çdo kusht. Të dua!

Kujdestaria kishte fuqi mbi financat e saj dhe vendimet e karrierës, përfshirë këtu edhe çështje të mëdha personale, të tilla si vizitat me djemtë e saj adoleshentë dhe nëse ajo mund të rimartohej. Të premten, gjyqtarja e Gjykatës së Lartë të Qarkut të Los Angeles, Brenda Penny, vendosi në favor të kërkesës së këngëtares për t’i dhënë fund, e cila nuk u kundërshtua nga asnjë nga palët e përfshira.