Aktualitet Politikë

Bledi Çuçi: Dhuna në seancën parlamentare, skenar i përgatitur nga kolegët e opozitës

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi e ka konsideruar skenar të planifikuar dhunën e deputetit të Rithemelimit Gledion Nallbati ndaj deputetit socialist Vullnet Sina.

Besoj se ju dhe gjithë shqiptarët ishit dëshmitarë të një skene aspak të pranueshme.

Ju e patë të gjithë se çfarë skenari kishin përgatitur kolegët e opozitës. E them skenar sepse sot ishte seanca që ne shprehim të gjithë shqetësimet që marrim nga pushteti vendor dhe asnjë nga grupi opozitar nuk ishte regjistruar më parë për të folur.

Kjo është e qartë që është një skenar, një skenar i planifikuar. Gjithsesi ne do të merremi me projektet, shqyrimin e tyre, sepse janë për të mirë të Shqipërisë dhe rrugëtimin saj drejt BE- tha Çuçi.

I pyetur se pse nuk i japin mundësinë opozitës që të ushtrojë një të drejtë Kushtetuese themelore, sikurse është ngritja e komisioneve hetimore, Çuçi tha se “nuk duhet abuzuar me këtë të drejtë”.

E kemi thënë edhe herën e fundit kur bashkëbiseduam për këtë çështje që nuk është e thënë që çdo amendim që vjen nga opozita ne duhet ta miratojmë. Nuk është e parashikuar kjo gjë, por ndodhë atëherë kur objekti i ngritjes së saj është i vlefshëm.

Komisionet Hetimore janë e drejtë kushtetuese e opozitës, shumë e drejtë, ashtu sikurse thotë edhe gjykata kushtetuese, por nuk duhet abuzuar me këtë të drejtë dhe kjo e drejtë kufizohet nga objekti i ngritjes së saj- tha Çuçi.

Kujtojmë se, ish-kryeministri, Sali Berisha dhe deputetët e Rithemelimit përsërisin skenarin e javës së kaluar. Me të filluar seancën u ngritën në këmbë duke kërkuar të bllokonin foltoren dhe duke tentuar të mos lejonin deputetët socialsitë të flisnin.

Ndërsa kishin bllokuar foltoren, deputeti socialist Vullnet Sina ka qenë duke folur nga karrigia e tij.

Në një moment deputeti i Rithemelimit Bledjon Nallbati i është afruar me qëllim që ta ndalojë së foluri Sinën. Fillimisht ka qenë përplasje verbale më pas ka vijuar në përplasje fizike madje në një moment e ka goditur me grusht deputetin socialist, Vullnet Sina.

Seanca zgjati vetëm disa minuta dhe pas përplasjes fizike,  gazetarët u larguan nga salla.

Ndërkohë u njoftua dhe përjashtimi i Bledjon Nallbati.