Aktualitet

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike nis tregtimin më 12 prill!

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike (ALPEX) do të fillojë tregtimin të mërkurën, në datën 12 prill. Në këtë mënyrë, fillimi i tregtimit shënon përmbushjen e një prej objektivave kryesore të vendit tonë dhe kjo në kuadër të zbatimit të detyrave e zotimeve të Shqipërisë në traktatin e energjisë së shteteve të Europës Juglindore, për të cilët aktorë si MIE, ERE e OST kanë qenë të angazhuar.

Këtë javë në mbledhjen e Bordit, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi propozimin e ALPEX-it dhe po ashtu njësinë kohore të Tregut, që i përket orës 00:00 të 12 prillit, si dita e nisjes së tregtimit në Bursë.

Vlerësohet se operimi i Bursës do të krijojë kushtet për një treg transparent e likuid, si dhe do të krijojë mundësinë për zgjerimin me bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike me Kosovën, si një fazë e parë, me rajonin dhe më tej, me tregjet e Bashkimit Europian. Kjo në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të përbashkët europian. Ndër të tjera, një gjë e tillë vlerësohet se do të sjellë sfida të reja për aktorët e tregut në Shqipëri, përfshirë edhe Rregullatorin.

Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike u themelua më 5 tetor të vitit 2020 dhe si aksionerë ka operatorët e transmetimit të Shqipërisë e të Kosovës. Konkretisht OST ka 57.25 për qind të aksioneve dhe KOSTT 42.75% të tyre.

Nisja e funksionimit të Bursës po shihet si një mundësi për të rritur transparencën dhe për ta bërë më konkurrues tregun e energjisë në vendin tonë. Po kështu, kjo Bursë konsiderohet si një mundësi e mirë për ta bërë më të thjeshtë procesin e liberalizimit në tregun e energjisë e ku nga viti 2018 kanë dalë në këtë treg bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt, ndërsa ato të lidhura në 20,10, 6 kilovolt ende po furnizohen me çmime preferenciale nga qeveria, edhe pse më të lartë se më parë.