Sport

Ceremonia e hapjes së Tokio 2020 mbetet pa Drejtorin Artistik, u shkarkua për një shaka!

Shumë telashe për Lojërat Olimpike të Tokios! Sikur të mos mjaftonte shqetësimi për rastet me COVID-19 aq sa u diskutua mundësia e anulimit të tyre, tani nga Japonia vjen lajmi i shkarkimit të Drejtorit Artistik të ceremonisë së hapjes së Olimpiadës, e planifikuar për nesër. Ishte një shaka e hidhur ajo e 23 viteve më parë që e përndoqi Kentaro Kobayashi-n.

Në një skeç të vitit 1998, ai dhe një aktor komik ishin në rolin e dy drejtuesve të programeve për fëmijë e ndërsa fliste për kukullat prej letre, Kobayashi i referohej si “të asaj here kur luanin Holokaustin”.

Madje dyshja komike vazhdonte shakatë duke imagjinuar zemërimin e producentit të programit për faktin se u përmend Holokausti.

Kobayashi, personazh shumë i famshëm i botës së spektaklit në Japoni kërkoi falje:

Skenari që kisha shkruar përmbante fraza jashtëzakonisht të papërshtatshme!

Por e kotë pendesa pas kaq kohësh, organizatorët e Olimpiadës e duan jashtë edhe pse pak orë na ndajnë nga ceremonia e hapjes se lojërave që pritet të ndiqet nga miliona njerëz në botë, të atij eventi të shtyrë nga vjet për shkak të pandemisë. Në një deklaratë theksojnë:

Kentaro Kobayashi ka përdorur një gjuhë fyese ndaj një fakti historik!

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike të Tokios do të shohë shumë më pak personalitete se zakonisht për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në event pritet të marrin pjesë zyrtarë të lartë nga 15 vende dhe organizata ndërkombëtare, mes tyre presidenti francez, Emmanuel Macron, pasi Franca pret Lojërat Olimpike në vitin 2024 në Paris.

Edhe Zonja e Parë e Amerikës, Jill Biden do të jetë gjithashtu e pranishme në Tokio, por ka një ulje drastike krahasuar me 40 përfaqësuesit që morën pjesë në hapjen e Lojërave të Rio de Janeiros, pesë vjet më parë.