Aktualitet Politikë

Çështja McGonigal, Tabaku: Çfarë ka ndodhur mes Ramës e ish-zyrtarit të FBI-së?

Çështja McGonigal, opozita këmbëngul se i duhen dhënë përgjigje disa pyetjeve se sa i përket lidhjeve të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së me Shqipërinë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ngritur akuza ndaj Charles McGonigal se ka marrë para’ nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve e lidhjeve me zyrtarë të shteteve të tjera.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një reagim në rrjetin social në Facebook, shkruan se shqiptarët kanë të drejtë të dinë se “çfarë ka ndodhur mes kryeministrit Rama dhe ish-agjentit të FBI-së të paguar nga rusët”.

Sipas Tabakut, mbi 4 vite shqiptarët janë helmuar me mashtrime se Partia Demokratike është financuar nga rublat ruse, ndërsa tani kanë të drejtë të dinë se si qëndron e vërteta.

Buza që flet të vërtetën, qëndron përgjithmonë, kurse gjuha që gënjen vetëm për pak kohë.” (Proverbat 12;19). Për mbi katër vjet, shqiptarët janë helmuar nga mashtrimi se Partia Demokratike është financuar nga rublat ruse. Një njollë e lëshuar nga gojët dashakeqe dhe e gatuar në zyrat e kryeministrisë që nuk kanë lënë shpifje pa drejtuar karshi nesh. Shqiptarët kanë nevojë të dinë kush, si dhe çfarë ka ndodhur mes Ramës dhe agjentit të FBI paguar nga rusët?! Duan të dinë se si oligarku Putinit përfitoi status investitorit strategjik menjëherë pasi u fut në listën e zezë të SHBA? Shqiptarët duan transparencë për çfarë ka ndodhur me koncesionet që u jepen oligarkëve rusë ndërsa paguhen para korrupsioni për të sulmuar PD!

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka mohuar kategorikisht që të ketë lidhje mes tij dhe akuzave të ngritura në Amerikë për Charles McGonigal. Sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Kishte qenë vetë McGonigal që në gusht dhe më pas në shtator të vitit 2017 i kishte kërkuar Nezës nëse mund t’i siguronte një sasi parash, të cilat ky i fundit ia dha përgjatë vjeshtës së atij viti në tre episode të ndryshme.