Rajoni

Dënimi i Salih Mustafës, protestë në Prishtinë!

Me sloganin “Jo në emrin tim!”, në Prishtinë u protestua kundër Gjykatës Speciale pas dënimit me 26 vjet burg për krime lufte të ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa. Protesta u organizua nga Partia Socialdemokrate (PSD). Kryetari Dardan Molliqaj bëri thirrje për unitet, për ta kundërshtuar këtë gjykatë.

Lufta për liri është shenja që ky është shteti jonë. Damkosja e kësaj lufte është sulm mbi Kosovën e pavarur. Edhe 23 vjet pas çlirimit, çlirimi po ka kosto. Shikoni aktgjykimin e kësaj gjykate ku thotë që duhet të dënohet komandant Cali është nëse viktima është vrarë nga plumbat e ushtrisë serbe. Kjo është e pritshme kur gjykata nuk e ka qëllim drejtësinë, por e ka qëllim dënimin e UÇK-së. Procesi i Speciales na ka nxjerrë edhe një mësim, liria mund të fitohet një herë, por duhet të mbrohet çdo ditë.

Ne nuk jemi këtu për t’i dekoruar ata që e kanë kundërshtuar këtë gjykatë, e as fajësuar ata që e kanë votuar këtë gjykatë… Duhet të bëhemi bashkë nëse e kemi njëmend mbrojtjen e UÇK-së. Nën akuzë e kemi përndjekjen për liri, i kemi themeluesit e UÇK-së, e kemi shtabin e UÇK-së, komandantë të zonave operative, prandaj atyre që u thuhet se nuk po dënohet UÇK-ja, por individët, përgjigjuni thjesht se juve nuk ju intereson as UÇK-ja.

Protestuesit u zhvendosën nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri në hapësirën përballë Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Në mesin e tyre janë parë edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, Ganimete Musliu e Ariana Musliu Shoshi. Gjykata Speciale, me seli në Hagë funksionon sipas ligjeve të Kosovës. Mustafa u dënua për vrasje, torturë dhe ndalim arbitrar. Ai u shpall i pafajshëm për trajtim mizor.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, i njohur si komandant Cali, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA, në Zonën Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vendimi ndaj Mustafës përbën të parin e Gjykatës Speciale lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Përveç Mustafës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.