Aktualitet

Dënimi i Tahirit, ambasadori Soreca: “Sinjale pozitive!”

Lidhur me dënimin e së premtes me 3.4 vite burg të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri “Për shpërdorim detyre”, ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca foli për sinjale të mira mbi punën e gjyqtarëve e prokurorëve. Por, ai pret më shumë. Nga Korça, diplomati europian u shpreh se “po shohin frytet e Reformës në Drejtësi, me gjykata të pavarura”, ndërsa theksoi se “nuk është mjaftueshëm”, pasi “pritshmëritë janë më të mëdha”.

Soreca deklaroi:

Nuk komentoj për procedura në vijimësi apo për çështje specifike, por po të shikohen disa nga vendimet e fundit të gjykatave, shihet një pavarësi më e madhe e gjyqësorit dhe ky është lajm i mirë. Ne shohim sinjale të mira nga puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por nuk është e mjaftueshme, ne presim më shumë nga të gjithë njerëzit e drejtësisë!

Diplomati Soreca nxiti dhe njëherë votimin pro zgjatjes së afateve të vetting-ut në drejtësi, ndërsa zbuloi negociatat me të gjitha forcat politike në vend sa i takon kësaj çështjeje që kërkon shumicë të cilësuar votash. “Një votë pro vetting-ut, është votë pro të ardhmes në BE”.

Votimi për zgjatjen e afateve të vetting-ut është një votë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne vazhdojmë punën tonë duke biseduar me të gjitha forcat politike në vend për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit e në veçanti edhe për zgjatjen e vetting-ut.

Në fund ka pasur edhe një koment të shkurtër, ndonëse pa një përgjigje konkrete për Sali Berishën, i shpallur “Non Grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vijon të bëjë fushatë.

Ambasadori u shpreh:

Më lejoni të mos komentoj për zhvillimet e brendshme të një partie. Ne kemi ndjekur dhe vijojmë të ndjekim parimin e mosndërhyrjes!