Rajoni

Dhuna në Shkup, kryeministri Kovaçevski: Nuk ka justifikim!

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski dënoi sulmet në protestën e mbrëmshme në Shkup kundër propozimit francez, ndërsa 47 efektivë policie mbetën të lënduar. Sipas tij, “edhe pse protestat janë e drejtë demokratike, dhuna nuk mund të arsyetohet me asgjë”. Në një postim në Facebook shkruan:

Ajo që ndodhi para Parlamentit, nuk është fytyra e vërtetë e Republikës së Maqedonisë së Veriut europiane, vend anëtar i NATO-s. Protestat janë e drejtë demokratike e çdo qytetari, por dhuna nuk mund të arsyetohet me asgjë. E dënoj ashpër sulmin mbi policinë që mbrëmë ishte në lartësinë e detyrës së vet, duke i mbrojtur në mënyrë profesionale qytetarët dhe institucionet shtetërore.

Gjatë protestës janë dëmtuar edhe xhamat e fasadat e selive të Qeverisë, Parlamentit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, thuhet:

Janë konstatuar disa shkelje të rendit dhe qetësisë publike nga ana e protestuesve, të cilët gjuajtën me gurë, vezë, sende metalike, pllaka, koktej molotov, shenja trafiku, kosha mbeturinash e mjete piroteknike, si ndaj objekteve ashtu edhe në drejtim të punonjësve të policisë, të cilët kryen detyrën zyrtare dhe siguruan institucionet shtetërore.

47 efektivë police u plagosën në protestat e mbrëmshme në Shkup, ku 11 prej tyre morën lëndime të rënda, ndërsa dy kolegë të tjerë janë në gjendje më kritike, në spital. Protestuesit kundërshtojnë propozimin francez që zgjidh mosmarrëveshjet Sofje-Shkup e mundëson heqjen e vetos bullgare që bashkë me Maqedoninë e Veriut, mban peng edhe rrugën europiane të Shqipërisë, duke mos iu hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në. Të dy vendet fqinje, nuk trajtohen si të ndara nga Unioni.

Disa protestues u arrestuan nga policia në Shkup, ku mbrëmë ishte dita e katërt e protestës së përshkallëzuar para selisë së Parlamentit. Ministria e Punëve të Brendshme tha se ka marrë të gjitha masat për të zbardhur rastet e dhunës.