Aktualitet Health & Beauty Sociale

Diabeti po kthehet në pandemi, merr rreth 20% të vlerës së rimbursimit të barnave!

Ndërsa prej vitesh fondi i rimbursimit të barnave mbetet në vendnumëro dhe Shqipëria nuk është e aftë të përfshijë asnjë medikament novator për sëmundjet e rralla e ato të rënda, diabeti përveçse po shndërrohet në pandemi, po merr gjithnjë e më shumë hapësirë në listën e rimbursimit.

Sipas të dhënave zyrtare nga Fondi i Detyrueshëm i Sigurimit dhe Kujdesit Shëndetësor (FDSKSH), gjatë vitit të kaluar, fondet që shkuan për disbursimin e fishave të diabetit arritën vlerën 2,2 miliardë lekë duke zënë gati 20% të fondeve totale të rimbursimit prej rreth 11 miliardë lekësh në vitin 2022.

Rimbursimi në grupin “Trakti digjestiv dhe metabolizmi” ishte 130 milion lekë më shumë se më 2021. Për vitin 2022, ky grup zuri 20% të shpenzimeve të rimbursimit, krahasuar me 19,1% që zinte një vit më parë.

Në këtë grup, rritja më e madhe krahasuar me vitin 2021 konstatohet te barnat e nëngrupit të antidiabetikëve që zënë 96,6% të shpenzimeve të gjithë grupit A e rreth 19,2% të shpenzimeve totale të rimbursimit, krahasuar me 18,5% që zinin vitin e kaluar.

Fondi shpjegoi se në tërësi është grupi i insulinave, rritja e konsumit të tyre, që ka shkaktuar këtë rritje të lartë të shpenzimeve të rimbursimit. Konkretisht, insulinë Aspart Solution me një rritje 41,1 milion lekë më shumë se shpenzimet e vitit 2021.

Insulinë Glarginë me një rritje prej 20,1 milion lekësh më shumë se shpenzimet e vitit të kaluar për këtë bar dhe Insulinë Detemir me një rritje prej 2.7 milion lekësh më shumë se një vit më parë, etj.

Sipas Fondit, këto barna janë të lidhura direkt me rritjen e shpenzimeve të rimbursimit për diagnozën Diabet Mellitus, si diagnoza me peshën më të madhe në rimbursim, me rreth 19,5 % të vlerës totale të rimbursimit.

Të dhënat tregojnë se shpenzimet për rimbursimin e diabetikëve po arrijnë medikamentet për sëmundjet e sistemit kardiovaskular, i cili vitin e kaluar zuri 24% të fondit total të rimbursimit. Diabeti po gjen përhapje të shpejtë vitet e fundit dhe kjo si pasojë e stilit defektoz të jetesës.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se të sëmurët kronikë në vendin tonë dominohen nga dy grup diagnozash, diabeti dhe hipertensioni që vijnë si pasojë e mungesës së aktivitetit fizik e kequshqyerjes.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në vitin 2021, gati gjysma e të sëmurëve kronikë që trajtohen me rimbursim vuanin nga hipertensioni e diabeti. Sipas qarqeve, Durrësi ka përqindjen më të lartë të pacientëve kronikë të trajtuar për Diabet Mellitus me 14,5%, ndërsa për Hipertension Arterial përqindjen më të lartë e ka qarku Kukës me 48,4%./Monitor