Bota

Disa shtete ashpërsojnë masat kufizuese kundër COVID-19!

Pandemia ka vrarë më shumë se tre milionë persona në mbarë botën ndërsa rritja e rasteve me COVID-19 ka rënduar sistemin shëndetësor në disa shtete. Teksa kriza shëndetësore në Indi po përkeqësohet, spitalet  kanë bërë thirrje që të furnizohen me oksigjen.

Në Delhi spitali “Jaipur Golden” raportoi 20 humbje jete mes pacientëve me COVID-19 si pasojë e mungesës së oksigjenit.

Në tre ditët e fundit autoritetet në Indi kanë diagnostikuar rreth 1 milionë persona të prekur nga COVID-19, ndërkohë që në total janë numëruar mbi 16.6 milionë të infektuar dhe mbi 190 mijë persona kanë humbur jetën.

Shumë pjesë të shtetit kanë ashpërsuar masat, përfshirë Nju Dehlin si dhe shtetin verior Uttar Pradesh, që ka hyrë në izolim gjatë kësaj fundjave. Ndërkaq, disa qytete në Australi janë vendosur në izolim treditor për shkak të rritjes së infektimeve.

Japonia, në anën tjetër, ka shpallur gjendje emergjente në Tokio dhe në tri rajone të tjera për shkak të rritjes së rasteve. Masat do të jenë në fuqi nga 25 prilli deri në 11 maj. Në Gjermani, numri i infektimeve ditore vazhdon të jetë i lartë dhe më 23 prill ky shtet ka regjistruar mbi 23,000 infektime, pas miratimit të legjislacionit të ri vendi rrezikon të fillojë një shtetrrethim të ri.