Sociale

Dita e Ashures, besimtarët bektashinj në Kryegjyshatën Botërore

Dita e Ashures mblodhi në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë qindra besimtarë. Një ceremoni e posaçme u zhvillua në përkujtim të ngjarjes së Qerbelasë ku Imam Hyseni dhe 72 dëshmorë u sakrifikuan për mbrojtjen e idealeve të jetës.

Kryegjyshi botëror bektashian Haxhi Dede Edmond Brahimaj ndau mesazhe paqe dhe bashkimi.

Besimtarët bektashianë kujtojnë ngjarjen e rëndësishme në kalendarin e tyre me ëmbëlsirën e ashures që sipas besimit islam simbolizon begatinë dhe unitetin.

Ashurja, një rit tradicional Bektashian, që përkujton me veneracion heroin e Qerbelasë, Imam Hysenin dhe 72 dëshmorët e tij, që u vetflijuan, gjer në sakrificën njerëzore, sublime, për mbrojtjen e idealeve të jetës.

Ditën e dhjetë të Matemit, për t’i dhënë fund kësaj periudhe agjërimi, zhvillohet një ceremoni e fundit në teqe. Kjo ceremoni fillon në fund të natës së dhjetë, besimtarët pinë ujin e jetës, sherbetin dhe mbas kësaj vihet ashurja në zjarr dhe vazhdon të nesërmen “Dita e Ashures”. Ashurja është ëmbëlsira e posaçme që merr emrin e kësaj dite. Dita e njëmbëdhjetë do të thotë Ashure. E dhjeta ditë e muajit Muharrem shënon përvjetorin e vdekjes së Imam Hysenit në Qerbela. Ashurja gatuhet me grurë, ujë, niseshte, fasule, bath, misër, fiq të thatë, rrush të thatë, arra, sheqer (ose mjaltë, pekmez, musht), kanellë si dhe shumë prodhime të tjera që dalin nga toka. Në ceremoninë fetare recitohet me zë të lartë (Mersije) bëhen lutje fetare në një heshtje zie. Pastaj bëhen vizita, populli dhe besimtarët hanë ashuren. Ashurja vazhdon përgjatë gjithë muajit të hënës Muharrem, ku të gjithë besimtarët e pregatisin këtë ëmbëlsirë jo vetëm për familjet e tyre por edhe për të gjithë të afërmit, duke u uruar mirësi, paqe, dashuri midis njëri tjetrit.