Tech

Do të fluturojë në hapësirë së shpejti, ylli i “Star Trek” aspak i entuziasmuar, ja si shprehet ai!

“Kapiteni Kirk” pritet të fluturojë në hapësirë javën e ardhshme. Kompania e udhëtimit në hapësirë të Jeff Bezos, “Blue Origin”, njoftoi se aktori i “Star Trek”, William Shatner do të niset nga Teksasi perëndimor më 12 tetor. 90-vjeçari shkroi në Twitter se:

Po është e vërtetë. Do të jem një ‘njeri raketë’! Asnjëherë nuk është vonë për të përjetuar gjëra të reja.

Shatner do të bëhet personi më i vjetër që shkon në hapësirë ku do të bashkohet me 3 persona të tjerë të bordit. Fluturimi i tij do të zgjasë vetëm 10 minuta dhe nuk do të arrijë më shumë se 106 kilometra.

Por William Shatner ka zbuluar se është i tmerruar të shkojë në hapësirë.

Miku im Jason Erhlick erdhi tek unë rreth një vit e gjysmë më parë dhe më tha që a nuk do të ishte bukur nëse kapiteni Kirk do të ngjitej atje? Dhe unë thashë: “Jason, për hir të Zotit. Askujt nuk i intereson nëse kapiteni Kirk shkon në hapësirë’. Unë nuk dua të jem njeriu më i vjetër që do të shkojë në hapësirë. Jam i tmerruar.

Ndërkaq, ju rikujtojmë se xhirimi i filmit të parë në orbitë do të jetë një përvojë që do të pasurojë njohuritë kinematografike dhe hapësinore. Regjisori rus i filmit, Klim Shipenko tha në një konferencë për shtyp se:

Është një përvojë më vete. Unë nuk do të kem se kujt t’i kërkoj këshilla. Nuk do të kem kameraman për ta pyetur se si të xhiroj nën dritën e dritares së mjetit hapësinor.

Nëse ju ka shpëtuar si lajm, një kukull barbie version i astronautes italiane Samantha Cristoforetti është dërguar në një fluturim me gravitet zero. Kjo kukull u krijua nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) dhe prodhuesi i lodrave Mattel me synimin për të frymëzuar vajzat e reja që të bëhen gjenerata e ardhshme e astronautëve, inxhinierëve dhe shkencëtarëve të hapësirës.