Rajoni

Draft-Strategjia e Sigurisë së Kosovës, veçon Serbinë si rrezik për vendin!

Kuvendi sot shqyrton Draft-Strategjinë e Sigurisë së Republikës së Kosovës 2022-2027. Dokumenti i miratuar më 27 korrik 2022 nga Komisioni parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e identifikon si sfidë kryesore për sigurinë e vendit “pretendimin territorial të Serbisë ndaj Kosovës”. Sipas Enver Dugollit, nënkryetar i parë i këtij komisioni, “për herë të parë, rreziku nga Beogradi përmendet në mënyrë eksplicite në një dokument të tillë”.

Draft-Strategjia kaloi në Komision me votat e pesë anëtarëve të pranishëm nga Lëvizja Vetëvendosje në pushtet; dy nga partitë opozitare votuan kundër, ndërsa një abstenoi. Ajo është hartuar nga Këshilli për Siguri i Kosovës dhe tashmë ka kaluar për procedim në Kuvend.

Dugolli shprehet:

Draft-Strategjia e Sigurisë është një dokument që përfshin të gjitha aspektet e sfidave të sigurisë në Kosovë, sidomos të rreziqeve që burojnë nga shteti fqinj, Serbia. Në këtë strategji identifikohet saktë rreziku kryesor që i kanoset shtetit. Për mendimin tim, kjo është një pikë shumë reale dhe e studiuar mirë.

Për adresimin e risqeve të identifikuara, që përfshijnë edhe ndryshimet klimatike, katastrofat e mundshme natyrore e njerëzore, ekstremizmin e dhunshëm politik apo fetar, Dugolli thotë se do të bëhen strategji të ndara nga dikasterët përkatës.

Rashit Qalaj, nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, thotë se ka votuar kundër Draft-Strategjisë për Sigurinë, se sipas tij, “ky dokument ka mungesë të vizionit”.

Nuk mund të vërehet se ku do të jetë Kosova pas pesë vjetësh, në aspektin e sigurisë. Në dokument vërehet edhe qasja partiake e Lëvizjes Vetëvendosje e jo aspekti profesional dhe i paanshëm ndaj sigurisë. Për shembull, kur flasim për sigurinë njerëzore, aty e kanë futur arsimin, që në fakt nuk duhet të jetë pjesë e strategjisë.

Pastaj, kemi qasjen që i është bërë institucionit të Policisë. Për shembull, në Strategjinë e Sigurisë preket krijimi i policisë rezervë apo ndryshimi i strukturës organizative të policisë dhe sipas mendimit tim, këto nuk kanë të bëjnë asgjë me strategjinë për sigurinë.