Rajoni

Eksperti britanik: Terroristët në Kosovë përdorën automjetet që SHBA i dha Serbisë!

Automjetet që u panë në pamjet e publikuara nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla janë Humvee amerikane, sipas njohësit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Westminster, Aidan Hehir.

Ai shkruan në platformen “X” se Pentagoni nuk do të jetë i lumtur që Serbia i ka përdor këto automjete për të trajnuar terroristë” dhe se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shumë për të shpjeguar.

“Makinat duken si ‘Humvee’ amerikanë. Sigurisht, Departamenti i Mbrojtjes nuk do të jetë i lumtur që Serbia i ka përdorur për t’i trajnuar terroristët makinat që iu dhanë donacion nga SHBA? Aleksandër Vuçiç ka shumë për të shpjeguar”, thotë ai.

Britania e Madhe njoftoi një ditë më parë se do të nisë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë, në përgjigje të shqetësimeve për situatën e sigurisë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj policisë në veri. Në deklaratën e saj nënvizohej se sekretari i Mbrojtjes Grant Shapps, pas një kërkese nga Komandanti i Lartë i NATO-s në Evropë dhe miratimit nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, do të vendosë rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit në ditët në vijim. Kjo për t’iu bashkuar kontingjentit britanik prej 400 trupash tashmë në vend si pjesë e një stërvitjeje vjetore.

Të premten NATO-ja njoftoi po ashtu se kishte miratuar forca shtesë për Kosovën, duke theksuar se KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë.

Rreth 4 mijë e 500 trupa të udhëhequra nga NATO-ja janë të vendosur në Kosovë. Shtatëqind trupa shtesë u dërguan në Kosovë në fillim të qershorit pas trazirave të dhunshme të 29 majit kur mbi 90 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të plagosur në përleshje me grupe protestuesish serbë që kundërshtonin zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale në komunat veriore.