Sport

Eliminimi i Francës, Pelé mesazh sulmuesit Kylian Mbappé!

Për sulmuesin francez, Kylian Mbappé këto janë momente mjaft të vështira pasi nuk është pak të mbash mbi shpatulla peshën e humbjes dhe eliminimit nga një kompeticion i rëndësishëm si Europiani e mbi të gjitha kur penalizohet Franca, Kampione e Botës.

Një emër shumë i rëndësishëm i historisë së futbollit ka menduar t’i qëndrojë pranë dhe ai është braziliani Pelé, i cilësuar nga FIFA si lojtari më i madh i të gjitha kohërave.

Kokën lart, Kylian! Nesër është dita e parë e një udhëtimi të ri!

Për një lojtar klasi si Mbappé duket shumë e vështirë të ndërrosh faqe e nuk e fsheh trishtimin e thellë. Ndeshja e mbrëmshme më Zvicrën është e gjitha për t’u harruar e jo vetëm për penalltinë e dështuar. Në 120 minuta goditi 8 herë, zero në portë.

Megjithatë sulmuesi i PSG-së e ka të qartë se ulje ngritjet janë pjesë e futbollit.

Shumë e vështirë të ndërrosh faqe! Trishtimi është i madh pas këtij eliminimi, nuk e arritëm dot objektivin! Jam i pikëlluar për atë penallti! Doja të ndihmoja skuadrën por nuk ia dola. E vështirë të flej edhe pse për fat të keq janë ulje ngritjet e këtij sporti që e dua shumë! E di që ju tifozë mbetët të zhgënjyer por dua t’ju falenderoj për mbështetjen e që gjithnjë na keni besuar! Gjëja më e rëndësishme është të ringrihemi, për t’u rikthyer më të fortë për angazhimet e radhës.

E në fund, një mesazh për kundërshtarin e mbrëmshëm që siguroi kalimin në çerekfinale.

Urime dhe shumë fat Zvicrës!

Pas 90 minutave të mbyllura në shifrat 3-3, Franca e Zvicra iu drejtuan shtesës e më pas penalltive ku gaboi vetëm Kylian Mbappé.

Në çerekfinale Zvicra e Granit Xhakës do të përballet me Spanjën, më 2 korrik, ora 18:00.