Rajoni

ETIAS, shtyhet hyrja në fuqi/Liberalizimi i vizave për Kosovën, jo më vonë se 1 janari 2024!

Funksionalizimin e sistemit ETIAS, Bashkimi Europian e shtyu për më 2024-ën, ndonëse pritej të hynte në fuqi më 1 nëntor të këtij viti. Hyrja në fuqi e këtij sistemi është kthyer në temë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, se me të lidhet edhe liberalizimi i vizave. Por, në vendimin për vizat për Kosovën thuhet:

Nëse sistemi ETIAS nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Në faqen e ETIAS-it nuk jepen arsye lidhur me shtyrjen e këtij vendimi. Pikërisht, mundësia e bllokimit të procesit të vizave për Kosovën i ka shtyrë disa vende të Bashkimit Europian që të insistojnë për të pasur një datë për këtë proces, edhe nëse do të ketë vonesa për ETIAS-in.

Disa burime diplomatike i thanë Radios Evropa e Lirë se qëndrimi që “jo më vonë se 1 janari 2024, nuk nënkupton se liberalizimi nuk mund të ndodhë më herët”.

Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk e gëzon lëvizjen e lirë me shtetet e zonës Shengen.  ETIAS është sistem europian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Ky sistem krejtësisht elektronik mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Schengen. Aty kërkohet emri, vendi i lindjes, gjinia, kombësia e kushdo që plotëson formularin duhet të ketë pasaportë, email dhe një kartë krediti për të kryer pagesën simbolike për këtë dokument.

Autorizimi për udhëtim lëshohet me shpejtësi e në mënyrë automatike, me përjashtim të rasteve kur ka dyshime për të kundërtën. Më pas, dokumenti i vlefshëm ETIAS rishikohet nga policët kufitarë të shtetit që merr vendimin final për hyrjen e mundshme të një udhëtari në një vend të zonës Schengen.